Mes vështirësive studentët po vazhdojnë mësimin on line

Prej 2 javësh studentët në të gjithë vendin po e zhvillojnë mësimin online, si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve me Covid 19. Vendimi i komitetit të ekspertëve në Ministrinë e Shëndetësisë parashikon që kjo formë mësimdhënie të zgjasë të paktën edhe 15 ditë të tjera .
Për Adelën nga Korça, e cila ndjek programin e shkencave politike në vitin e dytë në Tiranë mësimi në këto kushte nuk është i lehtë. Në shumicën e rasteve kur interneti nga shtëpia nuk është i mjaftueshëm për të bërë të mundur lidhjet online asaj i duhet ti drejtohet bar-kafeve, për të ndjekur leksionet apo edhe seminaret.
Ndërsa Domenik Rapaj studenti i vitit të tretë për matematikë në Fakultetin e Shkencave të natyrës sqaron se nga nisja e vitit akademik ka arritur ti ndjekë të gjitha leksionet online nga shtëpia. Sot nuk mundi të zhvillojë 2 orë seminar të planifikuar për shkak të problemeve teknike. Studentët e grupit te tij u njoftuan se këto orë mësimore do të mund ti ndjekin një ditë më vonë.
Kryetari i këshillit studentor në Fakultetin e Shkencave të Natyrës Xhuljano Guçe ka kërkuar subvencjonim të kostove që i janë shtuar studentëve nga mësimi online.
Mesimi online në fakultete do të vijoj edhe per 2 javë te tjera , më pas do të merret një vendim, duke u bazuar në situatën pandemike në vend.