E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Mesazh i Fortlumturit Joan nga Katedralja: ‘Të jemi kujdestarë të mirë të vendit tonë të bekuar’”

Në fjalën e tij, teksa uroi 113-vjetorin e Pavarësisë, përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm, teksa tha se Perëndia na ka bekuar me një vend të mrekullueshëm, por është përgjegjësi edhe e njerëzve që duhet të bëjnë më shumë për të.

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë u mbajt Dhoksologjia e Flamurit nën drejtimin e Kryepeshkopit, Imzot Joanit. Në fjalën e tij, teksa uroi 113-vjetorin e Pavarësisë, përcolli edhe një mesazh të rëndësishëm, teksa tha se Perëndia na ka bekuar me një vend të mrekullueshëm, por është përgjegjësi edhe e njerëzve që duhet të bëjnë më shumë për të.

“Në kishë ne themi vazhdimisht, përsëri dhe përsëri në paqe le t’i lutemi Zotit.  Pse i përsërisim vazhdimisht? Sepse mund t’i harrojmë dhe Kisha në urtësinë e saj na ka mësuar që shumë gjëra duhet t’i përsërisim. Sot, ne bëjmë një Dhoksologji të Flamurit. Pse kemi vendosur shërbesa të tilla, për dy arsye. E para për të falenderuar Perëndinë. E përsërisim se kemi shumë arsye për ta falenderuar, na ka dhënë një vend të bukur që ka gjithçka dhe jemi në këtë pjesë të globit si kujdestarë të kësaj pasurie, i Zotit është dheu e gjithçka që ndodhet në të, gjë që do të thotë se pronari i të gjithë dheut është Zoti. Ne jemi kujdestarët, përgjegjësia jonë është të jemi kujdestarë të mirë, të mundohemi ta lulëzojmë dhe bekojmë këtë vend. Nëse e bëjmë një vend të mirë, ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe harmoni, padyshim që nuk do të largohen shumë njerëz. Gjithmonë ka një arsye që disa mund të largohen por një largim masiv nuk do të ndodhë nëse do të jemi kujdestarë të mirë të këtij vendi që na ka besuar Perëndia. E falenderojmë Perëndinë për gjithçka na ka dhënë, por kemi edhe përgjegjësinë për këtë gjë, e të gjithëve. Gjithësekush në vendin ku punon mundohet ta lulëzojë këtë vend. Atdhetari i vërtetë është ai njeri që lulëzon vendin e tij. Në këtë ditë do të uroja të gjithë ju, gëzuar dhe përshumëvjet këtë ditë të bekuar. Perëndia ta bekojë popullin tonë, vendin dhe të përhapë paqen jo vetëm në vendin tonë por edhe në të gjithë botën.”, tha Fortlumturi Joani.

Më herët, Kisha Ortodokse bëri një urim për shqiptarët në këtë ditë të rëndësishme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›