E Diel, 1 Nëntor 2026

Mesazhi “Urbi et Orbi”- Papa thirrje Kievit e Moskës të ulen në bisedime, mesazh edhe për Gazën

Papa Leoni XIV i kërkoi të enjten Rusisë dhe Ukrainës të gjejnë guximin për t’u ulur në bisedime të drejtpërdrejta për arritjen e paqes. Thirrja e Atit të Shenjtë erdhi në mesazhin tradicional të Krishtlindjes gjatë bekimit “Urbi et Orbi”.

 “Uroj që palët e përfshira, me mbështetjen dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe me respekt”, uroi ai.

Para mijëra besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa përmendi situatën e rëndë humanitare në zonat e konfliktit dhe veçanërisht në Gaza.

 “Si mund të mos mendojmë për tendat në Gaza, të ekspozuara për javë të tëra ndaj shiut, erës dhe të ftohtit; dhe për ato të kaq shumë refugjatëve dhe personave të zhvendosur në çdo kontinent; apo të strehimoreve të improvizuara të mijëra njerëzve të pastrehë në qytetet tona? I brishtë është mishi i popullatave të pambrojtura, i sprovuar nga kaq shumë luftëra duke lënë pas rrënoja dhe plagë të hapura. Të brishta janë mendjet dhe jetët e të rinjve të detyruar të marrin armët, të cilët në vijën e parë ndiejnë pakuptimësinë e asaj që u kërkohet dhe gënjeshtrat që mbushin fjalimet pompoze të atyre që i dërgojnë drejt vdekjes”, tha Papa Leoni XIV.

Mëngjesin e së enjtes, për herë të parë që nga viti 1994, papa Leoni drejtoi ceremoninë e ditës së Krishtlindjes. Papët në përgjithësi këtë ceremoni ia besonin një kardinali, ndërsa vetë jepnin bekimin e mesditës Urbi et Orbi.

Krishtlindja e këtij viti shënon edhe mbylljen e Vitit të Shenjtë Jubilar të Kishës Katolike, gjatë të cilit miliona pelegerinë vizituan Romën.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›