E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mesazhi i Ambasadës së SHBA për zgjedhjet, Berisha: Pse nuk e përshëndeti Edi Rama? Është asgjësimi i tij!

Mesazhi i Ambasadës amerikane në Tiranë për zgjedhjet e 11 majit, ka nxitur reagimin e kryedemokratit Sali Berisha.

Ky i fundit, në një konference për media deklaroi se mesazhi i ambasadës nuk ishte tjetër veçse përgëzim për popullin shqiptar dhe asgjësimi i Edi Ramës.

“Merr e lexoni të gjitha deklaratat e mëparshme të asaj ambasade për zgjedhjet, për ta kuptuar shumë më mirë se cili ishte thelbi i deklaratës. Kjo është përgjigja ime. Lexoni ato të vitit 2021, si kanë qenë. Lexoni vitin 2021.

Lexoni pak disa nga deklarata e sekretarit [Marco] Rubio për zgjedhjet në vende të ndryshme të botës. Direkt të sekretarit, dhe do kuptoni mirë se ç’përfaqëson ajo që ju e quani urim për Edi Ramë, d.m.th. jo zgjedhjet,  uron shqiptarët, kaq. Aty urohen shqiptarët. Urohen shqiptarët. As nuk mohohetm as nuk pohohet farsa. Këtu ka një gjë. Ne që denoncojmë çdo ditë njihemi me prova e fakte të reja, ne vetë, sepse nuk mund t’i analizosh të gjitha në një kohë.

Pse nuk e përshëndeti Edi Rama atë urim. Më thuaj pak. Ai po e priste si diçka hyjnore atë urim. Pse nuk e përshëndeti. Pra faktikisht është asgjësimi i Edi Ramës”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati propozoi krijimin e një fronti të përbashkët në Shqipëri dhe diasporë kundër regjimit “Rama”.

“Ne nuk pranojmë kurrë zgjedhje të tilla. Ne nuk pranojmë kurrë një rezultat të tillë. Dhe natyrisht duhet të krijohet një front i përbashkët në Shqipëri dhe diasporë”, theksoi ai.

Një ditë më parë, Ambasada Amerikane në Shqipëri reagoi në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke uruar popullin shqiptar.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›