Mesazhi i Kryetares së Kuvendit në takimin me gratë në Lundër.
Jam shumë e kënaqur që gjendem sot këtu, e rrethuar nga gra, zonja, nëna, të reja, mjeke, e fëmijë.
Jam këtu pas takimeve të shumta që kam patur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por unë nuk e konsideroj atë, që koleget e mia, e quajnë bashkë me mua turin :Gratë per grate", një udhëtim, vetëm nëpër qytete.
Ky tur nuk është vetëm për qytetet , por është nje mesazh për çdo zonjë, grua, vajzë, studente, dhe nuk mund të mungojë në fshatra dhe komuna të ndryshme. Ndaj dhe sot jam shumë e lumtur që jam këtu dhe një falenderim të veçantë ua drejtoj mjekeve, që janë bashkë me ne.
Për një arsye prania jonë sot, është shumë njerëzore, shumë e thjeshtë dhe po aq e vërtetë. Sot ne flasim për jetën, flasim për shëndetin, flasim për fëmijët, prindërit, për nënat e tyre. Dhe gjë më të shtrenjtë për fëmijët se nëna, nuk ka. Kjo është arsyeja kryesore që së bashku kemi ngritur një dialog dhe përpiqemi të përcjellim një mesazh. Është mesazhi i shëndetit të nënës e fëmijës, por sot ndoshta do ta përjellim pak më ndryshe se herët e tjera. Është një thirrje, që vjen për shkak të disa statistikave që kanë dalë kohët e fundit. Sikurse mund të dini janë kryer 12 mijë mamografi në të gjithë Shqipërinë, kryesisht në Shkodër, Tiranë, Vlorë e Durrës. Është një numër relativisht i madh për kohën që flitet, kur ka filluar puna, por është një numër shumë i vogël, sepse gratë duhet të shkojnë të kontrollohen, të bëjnë kujdes për shëndetin e tyre , gjithnjë e në numër më të madh, në kohë të përcaktuar periodike. Nga ana tjetër nga studimet që janë bërë ndaj statistikave mjekësore, vërehet me frikë se numri I kancerit të qafës së mitrës është shumë më i madh nga ç'dihej. Dhe është një sëmundje që nuk e ndien, nuk ke dhimbje dhe më pas shikon se je në fund të jetës. Ndaj dhe sot bashkë me mjeket, me përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë jemi këtu dhe unë ju falenderoj që i jeni përgjigjur mesazhit, për të ardhur dhe për të bërë analizat e duhura. Këto analiza janë të nevojshme për të parandaluar tumorin e qafës së mitrës. Është një sëmundje, të cilën ne mund ta mundim, mund ta fitojmë, duke bërë kujdes Të vini për të kryer pap testin. Dhe unë përmes jush dua të përcjell këtë mesazh jo vetëm në këtë komunë, por në çdo fshat e komunë të Shqipërisë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për gruan, nënat, zonjat, kjo vlen per çdo vajzë të re. Të vijnë dhe të bëjnë analizën. Të vijnë dhe të parandalojnë një sëmundje, që mund të shfaqet pas dhjetë vitesh , pamvarësisht se ju sot jeni të reja. Ju do të jetoni gjatë dhe një jetë të shëndetshme. Edhe një herë ju falenderoj juve dhe do të dëshiroja që një mesazh profesional t'jua përcjellin të gjitha juve, mjeket e qendrës.