Mesazhi i fortë i SHBA, kundër dhunës dhe Berishës/ Ambasada reagon pas apelit të Berishës për mosbindje civile

Nuk vonoi goditja e dytë. Ambasada e SHBA-së, nën drejtimin e gjeneralit Eric Wendt, e ka marrë seriozisht protestën në Tiranë, duke i dhënë shuplakën e radhës dhunës masive me molotov e fishekzjarre të maskave në kryeqytet.
“Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar.”
Ambasada, megjithatë, fton qytetarët të protestojnë, por vetëm paqësisht. Vija e kuqe mbetet dhuna.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që zgjedhin të demonstrojnë ta ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë në mënyrë paqësore, pa akte të dhunshme.”
Një thirrje të fundit, ambasada amerikane e kishte për të gjitha palët e përfshira në protestë.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve për vetëpërmbajtje dhe qetësi.”
Një pjesë e protestës qartazi është e shurdhër ndaj mesazheve të selive diplomatike, me në krye SHBA-në, pasi dita e 5-të tregoi një rritje të gradës së dhunës nga protestuesit, kurse policia, nga ana tjetër, ka ulur reagimin e fortë të ditës së parë.
Ky mesazh duket se shkon për doktorin, që pas ditës së protestës doli nga vetëpërmbajtja.
” Ju bëj thirrje demokratëve, demokratëve dhe mbarë qytetarëve në të gjitha rrethet të mobilizohen me të gjithë potencialin e tyre për mosbindje civile.”
Por mesazhi i dytë ishte i qartë për të gjithë, sidomos për ata që e bënë dhunën dhe ata që duhet ta ndalojnë atë. Sali Berisha, në këtë llogari, del sërish i parëndësishëm dhe i padëmshëm. Shqipëria mbetet një zonë e interesit amerikan. Të tjerët mund të strehohen te selia blu./abcnews.al