Progni gjunjëzon Vllazninë, Kamza mposht Tomorin
Flamurtari dhe Vllaznia i kanë dhënë jetë në Vlorë një ndeshjeje emocionuese dhe plot nerv. Si vendësit, ashtu edhe shkodranët kanë kërkuar me insistim fitoren, porn ë fund ajo u ka buzëqeshur djemve të Edmond Lutajt, që shënojnë golin e vetëm të ndeshjes ende pa u mbyllur minuta e tretë e ndeshjes. Një sfidë që i ka të tëra, golin, protestat dhe kartonët e kuq.
Kryesori Enea Jorgji fërshëllen fillimin e 90 minutave mes Flamurtarit dhe Vllaznisë dhe ende pa u ngrohur mirë “motorët”, janë vendësit që gjejnë golin e avantazhit. Në minutën e dytë, Flamurtari fiton një goditje dënimi dhe në harkimin në zonë, portieri Vujadinoviç nuk arrin ta kontrollojë topin, të cilin e shtyn në rrjetë Gerhard Progni. Por shkodranët kanë shumë gjëra për t’i thënë anësorit pasi pretendojnë për një pozicion jashtëloje të Vilfor Hysës, megjithatë, Jorgji ka bërë me shenjë nga mesi i fushës dhe topi rinis që aty. Vllaznia bëhët menjëherë më agresive. Sukaj do të ketë një mundësi të shkëlqyer nga një goditje dënimi, por topi i tij do të ndalet vetëm nga traversa e portës së Spahos. Loja rëndohet dhe lojtarët nuk ua kursejnë shkelmat njëri-tjetrit, por Jorgji limitohet vetëm me tre kartona të verdhë në fraksionin e parë të lojës. Shkodranët dhe vlonjatët kërkojnë të befasojnë njëri-tjetrin, por portierët dhe mbrojtjet tregohen të vëmendeshme për të larguar rrezikun. Jorgji e mbyll pjesën e parë të ndeshjes teksa Vllaznia bëhej gati të ekzekutonte një goditje dënimi, por sipas miqve ai e kishte lënë kronometrin të ecte për vetëm 15 sekonda, ndërsa kishte akorduar një minutë shtesë.
Pjesa e dytë nis menjëherë me raste për gol. Vajushi do të shpërdorojë një mundësi të artë në minutën e 47-të dhe të njëjtën gjë do të bëjë Progni 6 minuta më pas. Belisha do të thërrasë në detyrë Spahon një minutë përpara se Hysa ta detyrojë Vujadinoviçin në një pritje të vështirë. Në minutën e 71-të Sukaj ka në këmbët e tij golin e barazimit, por gjuan keq topin e dhuruar nga gabimi i Spahos. Në të 75-ën u vjen radha vloanjtëve të protestojnë për një rast të dyshimtë në zonë, kur Hajdari pengon Prognin, megjithatë Jorgji lë lojën të vazhdojë. Vllaznia detyrohet ta mbyllë lojën me 10 lojtarë, kur i riu Sykaj shkakton faull si mbrojtës i fundit dhe del jashtë me kartonin e kuq. Sidoqoftë, ndonëse me 10 vetë do të jetë Vllaznia që do të ketë mundësinë e barazimit in-extremis, por Hajdari do të godasë keq në hyrje të zonës.
Në sfidën e luajtur në Kamzë, vendësit kanë mposhtur Tomorin 2-1 me dy gola të shpejtë të realizuar nga Eleandro Pema dhe Henri Ndreka brenda 4 minutash lojë (5’-9’), ndërsa për miqtë shkurton Roshi me penallti në minutën e 20-të. Sfida tjetër e javës, ajo mes Pogradecit dhe Shkumbinit është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Superliga – Java VI
Sot
Flamurtari – Vllaznia 1-0
Kamza – Tomorri 2-1
Pogradeci – Shkumbini 0-0
Nesër
Laçi – Dinamo 13:00
Tirana – Bylis 14:00
Kastrioti – Apoloni 14:00
Teuta – Skënderbeu 17:00
Renditja
Skuadra N F B H P
1. Flamurtari 6 4 0 2 12
2. Teuta 5 4 0 1 12
3. Tirana 5 3 1 1 10
4. Kastrioti 5 3 0 2 9
5. Laçi 5 2 2 1 8
6. Shkumbini 6 2 2 2 8
7. Kamza 6 2 1 3 7
8. Vllaznia 6 2 1 3 7
9. Bylis 5 2 1 2 7
10. Apolonia 5 2 1 2 7
11. Pogradeci 6 2 1 3 7
12. Skënderbeu 5 1 3 6
13. Tomori 5 1 1 3 4
14. Dinamo 5 0 2 3 -1
Shënim: Dinamos i janë zbritur tri pikë nga UEFA