E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi shkon në olimpiadë

Organizmi më i lartë i futbollit në botë, FIFA, ka pohuar se klubet duhet t’i lëshojnë futbollistët nën moshën 23 vjeç të udhëtojnë për të luajtur në Lojërat Olimpike. FIFA dje ka pohuar vendimin se klubet janë të detyruar t’i lëshojnë futbollistët nën 23 vjeç, të cilët janë të ftuar nga kombëtaret e tyre për të marrë pjesë në olimpiadë. Pas këtij vendimi, sulmuesi i Barcelonës, Lionel Mesi, më në fund do të marrë pjesë në olimpiadë, edhe tashmë do t’i takojë lojtarit që të vendosë nëse do të marrë pjesë apo jo.

Por gjithashtu, vendimi iu dedikohet edhe klubeve të Shalkes dhe Verderit, që duhet t’i lëshojnë futbollistët e tyre, për të cilët më parë këto klube “kanë “kërcënuar se nuk do t’i lejojnë të marrin pjesë në olimpiadë. Verderi dhe Shalke nuk do të kërkojnë t’i lëshojnë futbollistët brazilian, Diego dhe Rafinja (edhe pse këta kanë marrë pjesë në miqësoren e parë te Brazilit Olimpik). Fjalën e fundit tani do ta ketë gjykata sportive (TAS), e cila do të vendosë pas ankesave të Verderit dhe Shalkes, të cilët tashmë janë ankuar, ndërsa pritet të njëjtën gjë ta bëjë edhe Barcelona.

Pas këtij vendimi, Mesi është shprehur se do të udhëtojë menjëherë për t’u bashkuar me kombëtaren e tij, pasi këtë gjë ia ka lejuar FIFA. “Nëse FIFA ke vendosur që unë mund të largohem, atëherë do të nisem pa pritur vendimin e TAS-it (gjykata sportive), - është shprehur argjentinasi. - Nëse do të prisja këtë vendim, atëherë do të ishte shumë vonë për t’u bashkuar me kombëtaren. E kuptoj pozicionin e klubit, sepse luajmë një sezon, por unë e kam shprehur që në fillim të sezonit se dua të shkoj në olimpiadë”.

Një nga anëtarët e Komisionit të Statutit të Lojtarëve pranë FIFA-s është shprehur se për të lejuar lojtarët që janë nën moshën 23-vjeç në olimpiadë nuk duhet marrë aspak parasysh kalendari. “Lojërat Olimpike janë një eveniment i rrallë dhe nuk do të ishte aspak etike që të pengosh një lojtar mos të shkojë, - është shprehur tuniziani Slim Aloulou. - Nuk duhet marrë aspak për bazë kalendari ndërkombëtar i ndeshjeve, për të vendosur nëse klubet janë të detyrueshme apo jo që t’i lënë lojtarët të marrin pjesë në olimpiadë”. Që nga viti 1998, FIFA ka vendosur një rregullore, në të cilën shkruhet se lojtarët nën moshën 23 vjeç duhet të lihen të lirë nga klubet e tyre për të marrë pjesë në evenimente të tilla. Për sa u përket atyre jashtë kuote (lojtarët mbi 23 vjeç), çdo gjë i mbetet në dorë klubeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›