E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kataliniç: “Ja me se merret tani Oto Bariç”



Trajneri i Shiroki Brijeg, kroati Ivan Kataliniç, dukej në humor gjatë dhe pas konferencës për shtyp, pak orë përpara fillimit të sfidës të skuadrës së tij kundër Partizanit në kryeqytetin shqiptar. I rikthyer thuajse pas dy vjet e gjysmë në Tiranë, pas shkarkimit të tij si trajner i Dinamos, më 29 janar 2006, “Ivani i tmerrshëm” ndihej thuajse një “shqiptar i urtë” në ambientet e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, atje ku e nisi edhe aventurën shqiptare në krye të Dinamos, me një ndeshje të humbur 2-1 kundër Partizanit për Superligën shqiptare (java 12, tre gola të famshëm të Dhembit, përshirë edhe autogolin për Dinamon).
Edhe shkarkimi i tij nga Dinamo ka të bëjë me emrin e Partizanit, pasi ishte pikërisht humbja 1-0 me të kuqtë në javën e 21-të të sezonit 2005-2006, që provokoi largimin e tij nga blutë.
Të enjten Kataliniç do të drejtojë boshnjakët e Shiroki Brijegut kundër Partizanit në kërkim të kualifikimit në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA, kur në takimin e parë barazoi 0-0.
I gatshëm për t’u rrëfyer për “Albania”-n, ai flet hapur: nga përshtypjet e tij për trajnerët kroatë që po drejtojnë në Shqipëri: Blazhe Slishkoviç (Tirana), Slako Kovaçiç (Flamurtari), Zlatko Daliç (Dinamo, të cilin e ka pas lojtar) dhe deri të ish-trajneri i kombëtares shqiptare, Oto Bariç, i cili sot bën analistin e komentatorin në televizionet austriake.
* * *
Zoti Kataliniç, një rikthim i bukur në Shqipëri, edhe pse u detyruat të largoheshit i trishtuar nga Dinamo, pas një humbje me Partizanit, ndaj të cilit dështuat në të dyja përballjet më të.
Si e parashikoni sfidën e dytë me Partizanin në Tiranë, kur në të parën në Bosnjë nuk shkuar më shumë se barazimi pa gola.
- Unë mendoj se të dyja ekipet kanë shanse për t’u kualifikuar dhe do t’i përcaktoja ato si “fifty-fifty” (50% me 50%), por besoj se Partizani ka avantazhin e të luajturit në shtëpi. Ne do të luajmë të hapur dhe për fitore. Pa dyshim që duam të shënojmë të parët, pasi atëherë do ta kishim më të lehtë të kontrollim takimin deri në fund. Gjithsesi, nga analiza që bëra pas ndeshjes së parë, dola në konkluzionin se të dy skuadrat e meritojnë të kalojnë turin. Ndoshta fati do të jetë me ne, pasi tani e kemi më të kompletuar ekipin dhe kemi më shumë forcë se ne takimin e parë.
Ju jeni emëruar këtë vit në drejtimin e Shirokit, cili është vlerësimi i përgjithshëm për ekipin tuaj?
Është një nga ekipet më të mira në Bosnjë dhe një klub shumë i organizuar dhe ata luftojnë gjithmonë për Ligën e Kampioneve. Ata janë gjithmonë të parët apo të dytët në kampionatin boshnjak. Kanë një buxhet financiar të konsiderueshëm.
Duke qenë një njohës i futbollit shqiptar, cila është përshtypja juaj në lidhje me diferencën midis Dinamos dhe Partizanit?
- Është paksa e vështirë të bëjë një dallim të qartë, pasi unë kam drejtuar në Shqipëri dy vjet më parë, dhe pa dyshim që futbolli ka ndryshuar. Gjithsesi, unë mbetem i mendimit se si Dinamo ashtu dhe Partizani mbeten dy klube të mira dhe besoj edhe ndër më të mirat në Shqipëri. Fakti, që ato dolën kampionë dhe nënkampionë, përforcon gjykimin tim. Gjithsesi, unë mendoj se Partizani është një ekip me më shumë eksperiencë ndërkombëtare e ka luajtur në nivele të larta në ballafaqimet evropiane. Të paktën, këtë përshtypje kanë të gjithë te Shiroki.
Shqipëria është “pushtuar” nga trajnerët kroatë. Janë tre të tillë për momentin dhe në krye të skuadrave më të mira të Shqipërisë: Slishkoviç te Tirana, Kovaçiç te Flamurtari e Daliç te Dinamo. Si e gjykoni këtë frymë?
- Ndoshta presidentët pëlqejnë të kenë në drejtim të skuadrave të tyre trajnerë të huaj, dhe shkolla kroate e trajningut është ndër më të mirat në Ballkan dhe brenda mundësive financiare që kanë klubet shqiptare. E di që Oto Bariç ka lënë emër të mirë këtu, por ndoshta kanë ndikuar edhe rezultatet e Kroacisë në Kampionatin Europian, ku ne mundëm edhe Gjermaninë. Shumë vende kërkojnë trajnerë kroatë, kështu që edhe Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim. Edhe (Sllavko) Kovaçiç është një trajner interesant, i butë në dukje, por shumë punëtor. Gjithmonë kam pasur respekt për të.
Së fundi në Shqipëri ka mbërritur te Dinamo, Zlatko Daliç, a e keni njohur më parë atë?
- Po, po. Fillimet e tij si lojtar i ka pasur me mua te Varteksi i Varazhdinit, më pas e kam pasur edhe zëvendës. Është një trajner që pati rezultate të mira me Varteksin, por në drejtimin e Rijekës nuk i pati dhe aq të mira. Ai është shumë i ri, por i mirë si trajner. Të gjithë e vlerësojnë dhe është me perspektivë, pasi është i ri. Një tjetër trajner kroat është Bllazhe Slishkoviç, i cili drejton Tiranën, ekipin rekordmen në Shqipëri. Si e njihni atë?
- Po e njoh që lojtar, pasi unë kam qenë trajneri i tij, kur isha si trajner portierësh te Hajduku i Splitit. Ai ishte lojtar shumë i mirë e më pas u bë trajneri i Bosnjë-Hercegovinës.
Edhe një nga trajnerët e fundit të Kombëtares shqiptare, ka qenë kroat: Oto Bariç, i cili ka pasur rezultate të mira me Shqipërinë. A keni pasur njohje personale me të.
- Po. Tani ai ka përfunduar me futbollin dhe mesa di bën komentatorin dhe analistin sportiv për disa televizione austriake. Ai është një trajner vërtet i mirë dhe me eksperiencë të madhe.
Ka pasur një luftë mediatike midis Miro Bllazheviçit dhe Oto Bariçit, kush ka dalë fitues sipas jush?
- Në të vërtetë gjithçka ka qenë vetëm spekulime mediatike. Ju e dini kanë qenë gjithmonë lajme më shumë për gazeta.
Shumë lojtarë nga Kroacia kanë luajtur dhe janë duke ardhur në Shqipëri. Disa luajnë për Dinamon e të tjerë për Flamurtarin, apo ndonjë ekip tjetër si Vllaznia.
- Duhet të dini një gjë lojtarët kanë si qëllim të parë paratë. Në Kroaci me përjashtim të tri-katër klubeve të mëdha, askush tjetër nuk paguan mirë.
Sa merr një lojtar mesatar në Kroaci?
- Mesatarisht mund të merrte jo më shumë se 3 mijë euro në muaj. Kurse lojtarë si Luka Modriç merrnin jashtëzakonisht shumë.
Te Dinamo kanë ardhur dy lojtarë kroatë, Petriçeviç dhe Ramadani, i keni pas njohur ata?
- Po. Ramadani ka luajtur më parë për Varteksin e Rijekën. Është një lojtar i mirë, ka shumë aftësia të mira. E di që ka kombësi shqiptare (nga Maqedonia). Edhe sulmuesi Petriçeviç është një lojtar i mirë. Unë kam bindjen se lojtarët që vijnë në Shqipëri kanë aftësi të mira dhe janë nga shkollat më të mira të futbollit në Shqipëri. Ata e kuptojnë futbollin.
Kroacia pati një nga trajnerët më të mirë në Kampionatin Europian, Slaven Biliç.
Është vërtetë një trajner i mirë. Pati rezultate të mira, por fati nuk ishte me të, por me Turqinë. Të gjithë kanë qenë të dëshpëruar në Kroaci pas eliminimit. Gjithsesi, ne jemi një vend i vogël dhe rezultati në Europian ishte shumë i mirë.
Intervistoi: Dash Frashëri

Kupa UEFA
Turi i parë
Ndeshjet e kthimit
Sot, 31.07.2008
ora 20:00

PARTIZANI-SHIROKI BRIJEG
VLLAZNIA-KOPER

31 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›