Gjendet e vdekur dhe e shpërfytyruar Tamim, ylli i popit libanez dhe admiruesja e Haririt

Një vrasje e tmerrshme e ndodhur në Dubai ka tronditur botën arabe. E shpërfytyruar dhe e goditur me thikë në disa pjesë të trupit. Kështu u gjet pa jetë në apartamentin e saj në Dubai të Emirateve të Bashkuara Suzanne Tamim, ylli i popit libanez, prej vitesh e larguar nga skena e vendit të saj. Sipas agjencisë libaneze të lajmeve “Al-Nashra”, 31-vjeçarja u gjet e vdekur të hënën e kaluar, pasi kishte humbur gjurmët për familjarët dhe miqtë për afro 8 muaj. Sipas agjencisë, këngëtarja ishte therur disa herë në trup dhe fytyra e saj ishte shfytyruar përpara se të vdiste. Banore në fshehtësi prej 8 muajsh në Dubai, pasi kishte jetuar për vite me radhë në Kajro, Tamim ishte martuar dy herë, por ishte divorcuar nga të dy burrat. Ylli i popit libanez u bë e famshme në vitin 1996, kur fitoi konkursin kombëtar të këngës “Studioja artistike”. Albumi i saj i fundit i takon vitit 2002, ndërsa dy vjet më parë bëri shumë bujë në Liban kënga e saj “Të dashuruarit”, e kompozuar me rastin e përvjetorit të vrasjes së ish-kryeministrit të vendit, Rafik Hariri, i cili humbi jetën gjatë një atentati në Bejrut.