Mesi: Dita më e trishtueshme e jetës
“Ka qenë dita më e trishtuar e jetës time”. Nuk mund ta vazhdonte ndryshe deklaratën e tij Lionel Mesi. Pastaj shton edhe një koncept të përgjithshëm: “Në Gjermani nuk isha protagonist, sepse nuk mundesha, këtu nuk u bëra, sepse nuk munda. Në 2006, trajneri Pekerman nuk më shikonte, këtë herë Maradona më dha çelësat e skuadrës. Isha vetë unë që i humba, jo shokët e mi”. Marrje për sipër e përgjegjësive. Ishte minimumi që mund të bënte. Pesë ndeshje (Nigeria, Koreja e Jugut, Greqia, Meksika, Gjermania), zero gola. Një traversë e një shtyllë ndaj Greqisë, asisti për golin jashtë loje të Tevezit, shumë driblime, goditje me thembër, gjarpërime të shumta. Por vetëm bukuri, që tashmë nuk ia vlejnë thuajse fare. Po flasim për Leo Mesin, i cili jo më larg se një vit më parë, me Barcelonën e tij, mori çdo titull që i doli rrugës, 6 nga 6 trofetë e mundshëm. Dy botërorë të ikur kot në moshën 23-vjeçare. Maradona e luajti të parin në moshën 22- vjeçare, por në fazën e dytë u ndëshkua me karton të kuq. Ishte viti 1982, i Italisë. Diego e fitoi më pas në Meksikë 1986, kur nuk ishte ende 27 vjeç. Në 2014, në Brazil, Mesi do të jetë 27. Ndaj duhet të nxitojë.
#