Mësimdhënia e historisë dhe gjeografisë – Organizohet workshop mbi sfidat e sotme dhe drejtimet e së ardhmes

Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë në Universitetin “Fan S. Noli” organizoi sot një workshop me temën “Mësimdhënia e Historisë dhe Gjeografisë: Sfidat e sotme dhe drejtimet e së ardhmes”, ku morën pjesë mësues të arsimit parauniversitar, akademikë dhe alumni.
Në fjalën e saj, Edlira Menkshi, Përgjegjëse e Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, theksoi rëndësinë e rritjes së interesit tek të rinjtë për këto dy disiplina.
“Që të rrisim interesin e nxënësve në arsimin parauniversitar, për ta përqafuar qasjen ndaj këtyre dy disiplinave dhe për të vazhduar studimet për këto dy disiplina të cilat ofrojnë një larmishmëri shumë të madhe të profesioneve që të rinjtë mund të zgjedhin në të ardhmen”, u shpreh Prof. As. Dr Edlira Menkshi.
Nga ana tjetër, Aurel Prifti, mësues i gjeografisë në arsimin parauniversitar, ka vënë theksin te nevoja për një qasje më praktike në mësimdhënie.
“Si sfidë e dytë do të jetë pjesa e mishërimit me teknologjinë që nxënësve të mos i japim vetëm njohuri teorike por ti sjellim sa më real”, tha Aurel Prifti, mësues i gjeografisë.
Gjatë workshop-it, u diskutuan gjithashtu metodat bashkëkohore të mësimdhënies, sfidat në zbatimin e kurrikulës dhe rëndësia e edukimit informal. Pjesëmarrësit u angazhuan në shkëmbim idesh dhe përvoja, duke propozuar zgjidhje për përmirësimin e situatës aktuale.
Gazetare: E. Fili
/rtsh.al/