Mësime pianoje në letër
Pianistja Almira Emiri rikthehet në Shqipëri për "Klasik". Prej 14 vjetësh ajo studion në Hungari dhe interpreton në skena të botës. Rrëfimi për mësimet e para me ikonën e internuar hungareze në Fier, Maria Rafaeli
Pianistja shqiptare Almira Emiri dhe flautistja hungareze Lilla Szucs ishin të ftuara në sezonin koncertor "Klasik". Dy instrumentistet interpretuan dje në Akademinë e Arteve pjesë nga Chopin, Bach, Liszt etj.
Almira rikthehet në vendlindje tre vjet pas koncertit në Teatrin e Operës dhe të Baletit. Është larguar në moshën 12-vjeçare nga Shqipëria për të studiuar në Hungari.
Mësuesja e saj e parë e pianos në qytetin e Fierit, pianistja hungareze Maria Rafaeli i kishte krijuar mundësinë për ta marrë nxënësen e saj në Hungari. Që nga ajo ditë kanë kaluar 14 vjet, që Almira studion dhe interpreton në Hungari.
Në vendin e saj të lindjes realizon një herë në dy vjet koncert recital. Sot ajo na tregon për kohën kur merrte mësimet e para të piano, në një copë letre, për mësuesen e saj të parë, ikonën e internuar hungareze Maria Rafaeli, dhe emocionet e skenës shqiptare.
A të kujtohet takimi i parë me mësuesen Maria Rafaeli?
Ka kaluar shumë kohë që atëherë. Në moshën 4-vjeçare prindërit e mi panë që kisha shumë interes për pianon dhe fshehurazi u munduan të më prezantonin me Maria Rafaelin, e cila ishte e vemja mësuese pianoje në Fier.
Ajo vuri re që kisha talent por që nuk mund të studioja piano që në atë moshë. U sugjeroi prindërve që të ktheheshin kur unë të rritesha edhe ca, në moshën 6 vjeç.
Çfarë lidhje ekzistonte mes teje dhe saj?
Lidhja jonë filloi në një gjendje shumë të vështirë, por më dha baza të forta për të vazhduar pianon.
Unë kam studiuar në shkollën "Jakov Xoxa" në Fier. Në atë kohë më kujtohet që shkolla ka qenë pa xhama dhe era frynte nga të gjitha anët. Shkoja në shkollë me një ngrohës të vogël dhe me dorashka për të pasur mundësi që të përfitoja nga ato që më jepte Maria.
Çfarë kujton nga mësimet e para me Marian?
Mësimet e para mbaj mend që kanë filluar me ritmin, bazat. Unë kam punuar për pothuajse tre vite në piano të vizatuar në letër, që nga mosha 4 vjeç e deri sa shkova në shkollë. Në këtë piano prej letre kam mësuar notat dhe kam studiuar (mbi gjunjë lëviz gishtat si në piano). Më pas jam praktikuar në tavolinë. Tingullin e kisha në mendje dhe në vesh.
Kur më tregonin një pjesë në piano unë e imagjinoja menjëherë në letër. Situata e instrumenteve në Fier ka qenë shumë e keqe. Unë shkoja me letrën e vizatuar dhe në shtëpi, ku nuk kisha instrument, por as mësuesja nuk kishte. Vetëm në shkollë kishte një piano.
Ti the që prindërit të kanë çuar fshehurazi tek Maria...
Po, në vitin 1986. Në atë kohë një fëmijë 4-vjeçar nuk mund të studionte piano. Duhej të prisja sa të filloja shkollën, dhe të merrja mësime plus, që vetë Maria m'i ofronte nga dëshira e saj për të më ndihmuar.
Duhej bërë fshehurazi, sepse nuk mund të merrej vesh në atë regjim që unë marr më shumë mësime se të tjerët. Familjet tona kanë pasur një miqësi të fortë, gjë që më krijoi mua edhe mundësinë e shkollimit në Hungari.
Dhe çfarë mendon se ke marrë nga përvoja me të?
Baza të forta. Qëndrimi i dorës. Mund të them perfeksioni ritmik, melodik. Dmth shkollë hungareze.
Familja e saj është larguar nga Shqipëria në fillim të viteve '90. Vitin e parë pas ikjes së saj unë studiova në shkollë. Pastaj familja e Marias vinte në Shqipëri në verë dhe qëndronte për disa muaj në shtëpinë tonë. Në këtë kohë unë merrja mësime pianoje.
Si ndodhi që u nise drejt Hungarisë për të studiuar?
Maria Rafaeli, ka luajtur një rol shumë të madh. Pasi iku ajo unë mbeta pa mësues, pa instrument. Familja u përpoq që të kisha një mundësi për të vazhduar më tej.
Ishte Maria ajo që më gjeti mësuesen ruse në Hungari, Larisa Bornemisza, për studimin e mëtejshëm. Ajo më tha unë të gjeta ty një mësuese akoma më të mirë, që ti të kesh mundësi të vazhdosh më tej.
Pas mësueses ruse ti ke studiuar edhe me mësues francezë. Tre shkolla të ndryshme.
Nga anon më shumë teknika jote e interpretimit?
Tani është bërë një miks, nuk mund të them që këtë teknikë apo atë e kam nga kjo shkollë. Të gjitha dijet që unë i mora nga këta pedagogë e shkolla të ndryshme nuk i ndaj dot. Nuk mund të them dot se kë të mirë kam nga kush shkollë.
Mund të them se nga shkolla hungareze kam marrë shumë. Dijet më të mëdha. Plus që në Hungari u shkollova për 14 vjet. Gjithë interpretimi im mund të them se është një ndërthurje e të gjitha teknikave që kam marrë.
Cila nga skenat ku ke interpretuar të ka dhënë emocionin më të madh?
Emocionin më të madh e shumë të ngrohtë e ndiej gjithmonë në Shqipëri. Unë kam ikur shumë e vogël dhe për mua është gjë e madhe kur kthehem me një rast koncerti. Mund të them se edhe në Romë jam ndjerë shumë ngrohtë.
Cilët nga kompozitorët që ke luajtur do të veçoje?
Johannes Brahms. Muzika e tij është e veçantë. Ndërsa nga kompozitorët shqiptarë, Tonin Harapi, nga Ramadan Sokoli kam luajtur "Valle shqiptare" dhe pak nga Nikolla Zoraqi. Nuk kam luajtur shumë por kam luajtur.
E mban mend pianon e parë të vërtetë (jo në letër)?
Pooo. E kam akoma. Një vit para se të ikja në Hungari u krijua mundësia që të kisha një pianino. Kur shkova në Hungari nuk kisha mundësi të kisha një piano timen dhe çdo ditë zgjohesha në pesë të mëngjesit, studioja para mësimit, dhe pas mësimit praktikohesha deri në 10 të darkës.