Shkon në shkollë me ferexhe, nxirret nga mësimi
VESHJA/ Florida Kola nuk është pranuar që të shkojë në shkollë, pasi, sipas drejtuesve, veshja e saj kishte simbol fetar
BURREL - Një nxënëse e vitit të tretë të shkollës së mesme "Pjetër Budi" në Burrel nuk është lejuar që të shkojë në shkollë për faktin se ka qenë e mbuluar.
Florida Kola ka vendosur tri ditë më parë që praktikat e fesë myslimane t'i vërë në zbatim, duke iu drejtuar bankave të shkollës me kokën e fytyrën gjysmëmbuluar nga ferexheja.
Mirëpo, kjo i ka kushtuar pasi, sapo është dukur me këtë veshje, nga drejtuesit e shkollës është kthyer mbrapsht për në shtëpi, pasi i kanë shpjeguar se shkolla është laike dhe nuk mund të pranohen veshje me simbole fetare. "Nuk lejohet prezenca në shkollë me këtë uniformë, sepse shkolla është laike.
Po kështu, shkolla ka një rregullore të brendshme, e cila parashikon mosmbajtjen e një uniforme të tillë",- mësohet t'i jetë komunikuar.
Më pas vajza është drejtuar për tek shtëpia ku banon duke u rrëfyer prindërve se jashtë dëshirës së saj ishte përzënë nga shkolla, duke u shprehur se nuk ka përse të penalizohet e ardhmja e saj shkolluese për veshjen e saj.
Daja i vajzës, Flamur Lleshi, ka kërkuar menjëherë takim tek drejtoria arsimore me drejtuesit e atyshëm, nga ku marrë sqarimin sesi veprohet në një shkollë laike duke i kumtuar se "arsimi parauniversitar publik ka karakter laik. Në institucionet arsimore publike ndalohet indoktrinimi ideologjik e fetar".
Më pas Flamur Lleshi është drejtuar për në prokurorinë e Matit, pasi sipas tij, mbesa gjendet e "ngujuar" në shtëpi dhe e mbyllur në vetvete. Ai ka kërkuar ndërhyrjen e dikastereve të arsimit, duke u shprehur se "vetëm këtu bëhen ndalesa të tilla, dhe në asnjë vend perëndimor.
Nuk është se shkolla ka një veshje standarde, madje, për fat të keq, jo pak vajza shkojnë me barkun jashtë apo minifunde në orën e mësimit, ndërsa mbesës sime iu ndaloka mbajtja e një veshjeje të moralshme. Unë u kam kërkuar të më thonë cili ligj e ndalon një veshje krejt normale, ndërsa përzënien e mbesës nga shkolla, e cilësoj cënim të dinjitetit dhe shkelje së të drejtave të saj, ndaj për këtë çështjen e kam dërguar në prokurori, duke pritur një përgjigje ligjore.