E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, në garë për fondin 750 milionë euro

Fillimisht do të shpërndahen 150 milionë, menaxhimi i të cilave do të ndikojë në fondet shtesë


Bashkimi Evropian vë në dispozicion 750 milionë euro për vendet që janë në proces anëtarësimi

TIRANË - Shqipëria do të jetë pjesë e programit të ndihmës që Bashkimi Evropian do të japë për vendet e Ballkanit Perëndimor, për të përballuar efektet e krizës ekonomike në botë. Fondi prej 750 milionë eurosh ndihma, do të ndahet ndërmjet vendeve të rajonit, sipas përparësive të secilit prej tyre.

Sipas projektit që BE-ja ka për vendet e rajonit, këto para do të përdoren për financimin e investimeve të ndryshme, si në infrastrukturë, arsim, në kualifikimin e administratës, etj. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Leigh, prezantoi dje gjatë punimeve të Konferencës së Donatorëve për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në prani edhe të Kryeministrit Sali Berisha, strategjinë e ndarjes së këtyre fondeve.

Ai tha se, paketa antikrizë e BE-së për vendet e rajonit, si fillim përmban lëvrimin e 150 milionë eurove në kuadrin e Instrumentit të Paraaderimit, ndërsa më pas do të jepen edhe 600 milionë euro të tjera nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Gjatë fjalës së tij, Leigh u bëri të ditur qeverive përfituese nga fondi i mësipërm, se paratë e taksapaguesve të vendeve donatore, duhet të përdoren në mënyrë sa më efektive, për të arritur rezultatet e pritura.

"Ne shohim hapa shpresëdhënëse për Shqipërinë dhe rajonin, por është e rëndësishme që paratë e tatimpaguesve të vendeve donatore të përdoren me efektivitet.

Po takohemi në një periudhë të krizës globale dhe duhet të kuptojmë thellësinë e saj dhe masat që duhen marrë",- tha ai.

Guri i provës së vendeve të rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë, për të përfituar nga fondi 600 milionë euro, do të jetë mënyra se si do t'i menaxhojnë 150 milionë eurot e para, të cilat jepen në kuadrin e rritje së kapaciteteve të administratës për menaxhimin e fondeve, që Bashkimi Evropian parashikon të japë për vendet e rajonit, gjatë hapave të mëtejshme të integrimit.

Duke vënë në dukje faktin se konferenca mblidhet në një moment stuhie botërore në rrafshin financiar dhe ekonomik, Kryeministri Berisha, theksoi se, lufta kundër korrupsionit në Shqipëri, do të bëjë të mundur përdorimin në një mënyrë sa më të dobishme të këtyre fondeve.

"Përdorimi donacioneve, orientimi i drejtë i tyre sipas përparësive, ka një kusht themelor, luftën efikase kundër korrupsionit", - tha ai. Më tej, Berisha theksoi se fondet mund të shfrytëzohen në një mënyrë sa më të mirë, vetëm duke u adresuar në realizimin e projekteve të ndryshme.
Konferenca


Konferenca koordinuese e vendeve që ofrojnë ndihma, zhvillohet një herë në gjashtë muaj, në një nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ajo ka për qëllim vëzhgimin e mbarëvajtjes së investimeve që janë mbështetur me fondet e BE-së dhe gjetjen e rrugëve të duhura për financimin e projekteve të tjera.

Punimet e konferencës së zhvilluar në Tiranë, janë të fokusuara në informimin e vendeve përfituese, për mënyrën se si mund të përdorin fondet dhe për t'u krijuar mundësinë vendeve donatore për të parë rezultatet e investimeve të mëparshme.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›