Mësimet e Dejtonit për Irakun
Objektivi kryesor: Nota 5 (A+)
Ishin afër 30 raste të dështuara për armëpushim para Marrëveshjes së Dejtonit. Qëllimi ynë kryesor ishte përfundimi i luftës – njëherë e përgjithmonë. Dymbëdhjetë vite më vonë, ky objektiv është përmbushur tërësisht më zero çmim për jetët e amerikanëve ose ushtarëve të NATO-s.
Al-Qaeda: Nota 5 (A)
Ishim të brengosur që në Bosnjë kishte një prani edhe ashtu të vogël të një grupi islamist, të cilët më vonë do të bëhen të famshëm si Al-Qaeda. Në Marrëveshjen e Dejtonit ne kërkonim largimin e tyre dhe ia dhamë NATO-s të drejtën që t’i sulmojë ata. Pa Dejtonin, Al-Qaeda me siguri që do ta planifikonte 11 Shtatorin nga Bosnja e jo nga Afganistani.
Integrimi ushtarak: Nota 4+ (B+)
Për shkak të argumentimeve brenda NATO-s, Dejtoni parashikoi një vend me tri ushtri. Kjo ishte e papërshtatshme, ashiqare. Por, për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme pastaj, tani kemi një strukturë me vetëm një qendër komanduese dhe një ushtri shtetërore, e ndërtuar sipas vijave të NATO-s, aty ku dikur ekzistonin tri fraksione të ndryshme ushtarake. Këtu, progresi është real.
Ndarja fizike: Nota 4- (A-)
Derisa negocionim, ishte parashikuar që entiteti serb dhe ai kroato-mysliman do të mbeteshin fizikisht të ndarë dhe pastaj vendi do të copëtohej. NATO u përqendrua edhe në patrullimin e vijave kufitare të demilitarizuara, sikurse në Kore. Asnjëra nga ato parashikime nuk ngjau. Sot, ju mund të ngisni veturën pa asnjë ndërhyrje ose ndalesë, nga njëra anë e Bosnjës në anën tjetër, sepse të gjitha pikat ndaluese ushtarake nuk ekzistojnë më.
Integrimi ekonomik: Nota 3+ (C+)
Grupet etnike në Bosnjë përdorin vetëm një valutë si dhe shumë transaksione tregtare. Tani telashi është se korrupsioni është thelluar në të dyja anët e Bosnjës, ku shumica nga ta janë politikanë.
Anëtarësimi në BE: Nota 4- (B-)
Sikurse vendet fqinje, edhe Bosnja nuk ka ardhmëri të dukshme si anëtare e Bashkimit Evropian (BE). Që nga dështimi i pakos së reformave të ofruara nga “përfaqësuesi i lartë”, Lordi Paddy Ashdoun, asgjë nuk ka lëvizur – deri në këtë muaj, kur boshnjakët aprovuan një marrëveshje policore, por të kufizuar. Kjo e qartëson rrugën që Bosnja të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim, një hap domethënës drejt anëtarësimit të BH në BE. Ky është lajmi më i mirë politik tash e sa vjet në këtë vend.
Integrimi politik: Nota 3- (C-)
Deri në prill 2006, është bërë një program i ngadalshëm, por i qëndrueshëm. Ashdoun, që kishte një pozitë të fuqishme ndërkombëtare të themeluar nga Dejtoni, i shtynte reformat përpara. Ai prodhoi një pako reformuese kushtetuese, me të cilën do të forcoheshin institucionet e nivelit shtetëror, duke lënë njëherësh shumë fuqi/pushtet në duart e entiteteve. Por Ashdoun nuk i kishte edhe 2 vota që ishin të nevojshme të fitonte 2/3 e shumicës në Asamblenë Kombëtare, kur Haris Silajxhiç, kryeministri mysliman në kohën e luftës, i cili u kthye në pushtet si njëri nga tre presidentët e Bosnjës, kundërshtoi pakon, duke thënë që kjo pako kushtetuese do t’i forcojë serbët. Që nga atëherë, nuk ka pasur ndonjë progres politik domethënës. Presidenti i pjesës serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, përkrahu planin e Ashdoun, por pastaj ai iu ktheu shpinën reformave, duke kërkuar përkrahje në Beograd dhe Moskë. Ai tani kërkon që të dobësojë ose paralizojë qeverinë qendrore, në çdo rast. Ndërveprimi mes Silajxhiç dhe Dodik ishte i helmueshëm, në njërën anë me myslimanët, duke folur për braktisjen e dy entiteteve dhe serbët, duke kërcënuar që të shpallin etnitetin e tyre të pavarur, nëse Silajxhiç insiston. Që të dy këta burra e dinë që asnjëra pozitë e tyre nuk lejohet me Marrëveshjen e Dejtonit dhe se ndjekja e praktikave të tilla joprogresive mundet përsëri ta destabilizojë Ballkanin. (Duhet të kujtohet që kështu edhe nisi lufta.)
Përcjellja.
Bashkësia ndërkombëtare: 3- (3-); SHBA: 3+ (C+); Rusia: 1
Shumica e njerëzve, më të cilët kam biseduar, e ngritën të njëjtën çështje: progresi politik mori teposhtëzën, atëherë kur Bosnja nuk ishte më prioritet i administratës së Bushit. E Uashingtoni duhet të kujtojë që pa lidershipin e fortë të SHBA, të arritjet në Bosnjë mund të zhduken. Vendimi për të zëvendësuar NATO-n me një forcë të vogël ushtarake të BE ishte një gabim i tmerrshëm, ashiqare i diktuar atëherë nga sekretari për Mbrojtje, Donald Rumsfeld. Ndërkaq, pasardhësi i dobët i Ashdoun e minoi reformën edhe më tutje, duke bërë që politikanët vendorë në Bosnjë të përdorin përsëri kartën etnike në lojërat e tyre politike. Përfaqësuesi i i ri i lartë ndërkombëtar, sllovaku Miroslav Lajçak, është një diplomat i aftë, por ai nuk e ka mbështetjen e mjaftueshme nga Brukseli dhe në fakt çdo gjë që ai bën, kundërshtohet nga rusët, të cilët po mundohen të minojnë marrëveshjen që e kishin negociuar edhe vetë.
Marrëdhëniet me jashtë: (3 +) (C+)
Bosnja përdor një pasaportë, përdorin ambasadorët në mënyrë të përbashkët mes grupeve etnike dhe pak a shumë, kanë një politikë të jashtme të përbashkët. Ministri i fundit i Jashtëm ishte serb dhe ai është zëvendësuar nga një hebre-mysliman.
Mësimet për vendet e tjera
Asnjë marrëveshje nuk vlen, nëse nuk zbatohet me përpikmëri në praktikë. Aranzhimet politike duhet të pasqyrojnë realitetin historik dhe etnik. Shteti unik me një qeveri të fortë qendrore mund të ketë sukses në Japoni ose Francë, por jo në Bosnjë – ose, besoj edhe në ato vende si Iraku, Afganistani ose Sudani (ka shumë vende të tilla). Atje (sikurse në SHBA, Gjermani dhe Indi), pushteti duhet të ndahet mes qeverisë qendrore dhe shteteve ose krahinave. SHBA duhet ta njohë këtë në Irak.
*Autori i këtij teksti është arkitekti kryesor i Marrëveshjes paqësore të Dejtonit më 1995