E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mësimet që nxjerrim nga kriza

Të ardhurat buxhetore kanë patur një ecuri më të ngadaltë se parashikimet, si pasojë edhe e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe. Për rrjedhojë, shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike

Nga Ardian Fullani*

Në një shifër të vetme, ecuria e ekonomisë shqiptare mund të përmblidhet në rritjen mbi 65 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të mirëqenies për banor gjatë këtyre viteve tranzicion. Perspektiva jonë e zhvillimit mbetet po kaq pozitive. Stabiliteti makroekonomik i vendit, vazhdimi dhe thellimi i reformave strukturore, si dhe realitetet gjeopolitike të afrimit me ekonomitë e zhvilluara të Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në çlirimin dhe shpërblimin më të plotë të potencialit dhe të energjive tuaja.

Ecuria e ekonomisë gjatë periudhës së krizës

Zhvillimet e vitit 2009, kanë treguar se ekonomia shqiptare është ndikuar nga kriza globale e kohëve të fundit, kryesisht si pasojë e pakësimit të kërkesës së huaj dhe të remitancave, e rritjes së primeve të rrezikut, reduktimit të burimeve të financimit dhe rritjes së kostos së këtyre të fundit. Megjithatë, ekonomia jonë vazhdoi të shënojë rritje ekonomike pozitive gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste mbeten të kontrolluara. Aktiviteti ekonomik në vend është mbështetur nga stimuli fiskal dhe ruajtja kërkesës konsumatore në nivele të qëndrueshme, ndërkohë që investimet dhe eksportet kanë shënuar rënie gjatë nëntëmujorit të parë të vitit.

Megjithëse pozitive, ecuria ekonomike e nëntëmujorit të parë të vitit karakterizohet nga një ngadalësim i ritmit të rritjes, duke u reflektuar edhe në rënien graduale të presioneve inflacioniste. Pavarësisht një korrektimi të lehtë gjatë vitit 2009, deficiti i llogarisë korente mbetet ende në nivele të larta duke reflektuar konsumin e lartë të ekonomisë shqiptare dhe pamundësinë e kapaciteteve prodhuese në vend për tiu përgjigjur atyre. Politika fiskale ka patur një natyrë ekspansioniste gjatë vitit 2009, e pasqyruar kryesisht në rritjen e shpenzimeve buxhetore, kryesisht si rezultat i rritjes së shpejtë të shpenzimeve kapitale.

Të ardhurat buxhetore kanë patur një ecuri më të ngadaltë se parashikimet, si pasojë edhe e ngadalësimit të ritmit të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhe.

Për rrjedhojë, shtimi i shpenzimeve buxhetore është financuar nëpërmjet përdorimit të të ardhurave të privatizimit dhe të rritjes së huamarrjes publike.

Kjo politikë ka ushtruar presion për rritjen e normave të interesit të letrave me vlerë të borxhit të qeverisë me afat të gjatë maturimi. Tregjet financiare janë karakterizuar nga përmirësimi i likuiditetit dhe rifitimi i besimit të agjentëve në to. Furnizimi i vazhdueshëm nga ana e Bankës së Shqipërisë të tregut të parasë nëpërmjet operacioneve për injektimin e likuiditetit, ka ndihmuar për të qetësuar pjesëmarrësit e tregut si dhe për të furnizuar tregun me fonde, të cilat i kanë shërbyer ndërmjetësimit në monedhën vendase për sektorin privat. Nevojat për likuiditet në tregun ndërbankar kanë rezultuar në ulje, duke mos ushtruar presion tek normat afatshkurtra të interesit.

Politika e matur monetare e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar në qetësimin e tensioneve në tregun financiar, ndërkohë që ulja e fundit e normës bazë të interesit duhet të përkthehet në kreditim më të madh të sektorit privat.

Ashtu si kemi deklaruar dhe më parë, Banka e Shqipërisë e shikon të ardhmen e vendit me optimizëm të kujdesshëm. Them me optimizëm sepse, me gjithë goditjen e madhe që pësuam, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit nuk u prekën. Për më tepër, rivendosja e besimit në sistemin bankar i hap rrugën rikuperimit të procesit të kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë me fonde. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mbetet ende në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht. Sistemi bankar ka ende mungesa likuiditeti ndërsa ekonomia botërore mbetet e dobët. Për këtë arsye, zhvillimi i ardhshëm ekonomik do të varet si nga puna jonë e përbashkët, ashtu edhe nga ecuria e tregjeve ekonomike dhe financiare botërore.

Nën optikën e zhvillimit historik dhe sidomos të ngjarjeve të fundit në vazhdim do të ndalem në disa probleme që ne, si autoritet politik, mbikëqyrës dhe rregullator, kemi evidentuar si mësime që duhen nxjerrë dhe çështje që duhen adresuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit.

Mësimet që nxjerrim nga kriza

Që në fillim, dua të theksoj se, në vija të përgjithshme, filozofia e zhvillimit ekonomik të vendit ka qenë e saktë. Hapja e tregjeve dhe rritja e konkurrencës i kanë mundësuar ekonomisë shqiptare për të përfituar frytet e iniciativës së lirë të sektorit privat. Praktika e ekonomive të bazuara mbi parimet e tregut të lirë, ka treguar gjerësisht se iniciativa private mbetet gjeneratori më eficient i aktivitetit ekonomik.

Ky proces është mbështetur nga reduktimi i vazhdueshëm i peshës së shtetit në ekonomi, si dhe nga përqendrimi i tij në prokurimin e të mirave publike dhe në zhvillimin e infrastrukturës. Zhvillimi progresiv i tregjeve financiare, ka gjeneruar fondet e nevojshme për mbështetjen e investimeve dhe të konsumit në ekonomi.

Megjithëse për arsye kryesisht historike, sistemi bankar e ka bazuar aktivitetin e tij në ndërmjetësimin e fondeve të brendshme të ekonomisë. Zhvillimet e kohëve të fundit treguan se ai mbetet po aq i aftë në gjenerimin e fondeve të huaja në mbështetje të nevojave për likuiditetit dhe kapital të ekonomisë shqiptare. Nga ana tjetër, integrimi i sistemit tonë financiar me atë evropian, ka rritur qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare ndaj goditjeve të ndryshme, më e fundit nga të cilat është ende në veprim. Ai ka sjellë gjithashtu një ekspertizë të nevojshme në drejtim të administrimit financiar dhe atij ekonomik të një biznesi, ka zhvilluar infrastrukturën dhe mjetet e pagesave në ekonomi si dhe ka ndihmuar në transferimin efecient të rrezikut në ekonomi.

Me gjithë arritjet, personalisht gjykoj se modeli i zhvillimit të vendit ka nevojë për modifikime dhe përmirësime, të cilat duhet të synojnë rritjen e eficiencës dhe te qëndrueshmërisë së tij. Në kushtet e një ekonomie që kërkon dinamizëm për kalimin nga një ekonomi në tranzicion në një ekonomi në zhvillim, angazhimi për një zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë duhet të jetë kryefjala e reformave aktuale dhe të ardhshme ekonomike, si në nivel institucional e politik, ashtu edhe në nivel ndërmarrjeje dhe konsumatori.

Cilat janë mangësitë e vërejtura në këtë drejtim?

Së pari, përfituesit kryesorë të rritjes ekonomike kanë qenë konsumi i brendshëm dhe investimet, ndërkohë që ekonomia shqiptare nuk ka arritur ende të krijojë një sektor eksporti konkurrues, të aftë për të gjeneruar të ardhura të qëndrueshme valutore të cilat do të mundësojnë ruajtjen e balancave të jashtme ekonomike. Në një prizëm tjetër, ky zhvillim nuk duket i balancuar në terma sektorialë. Kështu, disa sektorë, si tregtia, ndërtimi dhe shërbimet kanë kontribuar në mënyrë disproporcionale në zhvillimin e vendit ndërsa të tjerë si, bujqësia dhe industria, më pak.

Së dyti, ekonomia shqiptare vazhdon të vuajë nga dobësi strukturore, të cilat tkurrin konkurrueshmërinë e saj në tregjet ndërkombëtare të produkteve dhe të kapitalit. Kjo sjellje ilustrohet edhe nga indekset e konkurrueshmërisë ndërkombëtare të përpiluar së fundmi nga Forumi Ekonomik Botëror, ku Shqipëria renditet poshtë vendeve të rajonit. Disa nga problemet më akute i referohen nevojës për përmirësimin e edukimit dhe zhvillimin e infrastrukturës, në të gjitha dimensionet e

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›