Pse dështoi weekend–protesta e PS-së!
Të gjithë ishim kureshtarë të shihnim se çdo të bënte Edi Rama dhe të tijtë këtë fundjavë, në këtë protestë kaq shumë të trumbetuar dhe të pompuar. Jo se prisnim ndonjë gjë të madhe, sepse këtë nuk e prisnin as deputetët e PS-së, as organizatorët e militantët e saj, sepse rezultati i sigurt i dështimit dihej, por sepse minimalisht prisnim që fantazia krijuese e koreografit dhe trupit të velinave të shkonte përtej kokoshkave, qofteve dhe misrave të pjekur. E në fakt edhe këtu na zhgënjeu kjo trup e mrekullueshme teatrore. Por, cilat janë arsyet që degjeneruan dhe që paracaktuan dështimin e kësaj proteste? Janë shumë. Kjo protestë nuk kishte kauzë. Edi Rama nuk po mbronte një kauzë, ai vetëm sa po e bënte këtë protestë për arsyet e veta egoiste dhe personale. Një protestë, formalitet radikal që pason bojkotin e shtirur, në gjykimin e tij i nevojshëm për t’i dhënë deri diku legjitimitet brenda partisë, legjitimitet të cilin e humbi pas rezultatit të 28 qershorit, i cili e shpallte humbës dhe si rrjedhim e largonte automatikisht nga drejtimi i partisë. Edi Rama e hartoi vetë kodin zgjedhor dhe në gjysmën e qendrave të votimit e të numërimit, komisionerët e PS-së ishin në mazhorancë. Pra Rama dhe PS ishin bashkautorë dhe bashkadministrues të këtyre zgjedhjeve. Dhe madje kontestimi i vetëm i fortë ka qenë mandate i 9-të i Fierit, të cilin arriti ta merrte. Rrjedhimisht nuk pati as mesazh, as frymë, as temp. Të gjithë pamë dhe dëgjuam lloj e lloj gjërash, nga ato që i kemi dëgjuar vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe në foltoren e konferencave të PS-së, por aspak një mesazh bindës, të argumentuar dhe të mbështetur në arsyetime logjike. Pamë njerëz që ishin marrë forcërisht me lista, nën dhunën e pushtetit dhe të frikësimit me heqje nga puna. Komisionerët që njëkohësisht janë edhe militantët më të flakët të partisë, janë të akuzuarit kryesor dhe nuk e kuptojmë se si mund të mobilizoheshin kjo armatë e tërë njerëzish, në momentin kur Edi Rama bën ata fajtorët e vetëm dhe sigurisht që pamë një protestë shumë të vakët që nuk prodhoi as emocion e as atë të famshmin ortek që prisnin organizatorët. Topi i borës shkoi e u katandis në një thërrime, e cila më pas u zhduk përfundimisht.
Protesta dështoi njëkohësisht, sepse Edi Rama asnjëherë nuk arriti të siguronte mbështetjen e ndërkombëtarëve, përkundrazi diplomatët e huaj në vend, por edhe institucionet më të rëndësishme evropiane kanë shprehur haptazi kundërshtimin e tyre ndaj bojkotit dhe domosdoshmërinë e hyrjes së opozitës në Kuvend.
Edi Rama dështoi në këtë protestë sepse përpara një viti ka mbajtur një qëndrim krejt të kundërt ndaj votës së lirë. Për koiçidencë, përpara një viti, në nëntor, zhvillohej një grevë urie brenda Parlamentit dhe një protestë e mijëra njerëzve jashtë tij. Edi Rama e injoroi tërësisht këtë protestë, e cila e kishte një kauzë të drejtë dhe bëhej tërësisht për ato arsye që sot ankohet Edi Rama. Ai u bë kundërshtari kryesor kundër votës së lirë dhe sot pas një viti, ai ngelet njeriu më i pabesueshëm kur flet për votën e lirë. Akuza këto që i ka marrë drejtpërdrejt edhe nga partneri i tij i ri, Spartak Ngjela, i cili e akuzonte Ramën si hajdutin më të madh të votave. Beteja e 28 qershorit është e mbyllur përfundimisht. Edi Rama është humbës. Atij i takon vetëm të marrë masa për betejën e radhës, atë të zgjedhjeve të ardhshme vendore, ku me shumë mundësi do të marrë humbjen e radhës.