E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shakaja e hidhur e një proteste



Disniveli ndërmjet realitetit shoqëror dhe aspektit normativ në shoqëri si e jona është akoma shumë i lartë. Ky hendek manifestohet tek sjelljet e aktorëve politikë ndaj institucioneve dhe nivelit të respektimit të ligjeve. Një nga arsyet që e prodhon këtë realitet dhe që kushtëzon deri diku sjelljen shoqërore dhe politike është kultura e mangët demokratike, e cila i kundërvihet frymës së normave ligjore të huazuara nga vende me demokraci të konsoliduar. Siç dihet, formulimi i rregullave dhe ligjeve janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, por interpretimi dhe zbatimi i tyre në realitet, kushtëzohen nga botëkuptimi dhe kultura juridike që kanë vetë aktorët politikë dhe socialë. Kështu që reformat që ndërmerren në planin juridik dhe administrativ janë të mirëmenduara në procesin e formulimit dhe aprovimit, por kur vjen momenti për t’i zbatuar ato, vërejmë se shkalla e zbatimit të tyre në praktikë ndryshon shumë nga ajo çfarë përcaktojnë normat e shkruara. Pikërisht, ky dualitet ndërmjet aspektit “de juro” dhe aspektit “de facto” të ligjit, ka nxitur herë pas here lindjen e debateve të nxehta ndërmjet subjekteve politike dhe njëkohësisht, manipulimin e opinionit publik për qëllime të mirëfillta politike. Në këtë linjë logjike po zhvillohet edhe debati i kohëve të fundit për çështjen e hapjes se kutive ndërmjet pozitës dhe opozitës. Pikërisht, mënyra se si po kërkohet zgjidhja, tregon edhe një herë për stadin e zhvillimit të demokracisë në vendin tonë. Për ta konkretizuar këtë konkluzion po ndalem në disa momente. Së pari, kemi momentin ligjor. Opozita kërkon që nëpërmjet një ligji të tipit “ad hoc” t’i jepet e drejta për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimore me objekt rinumërimin e fletëve të votimit në disa nga KZAZ. Themi një ligj “ad hoc”, pasi rregullorja e Parlamentit e ka të përcaktuar në mënyrë eksplicite se mbi çfarë kriteresh formale ngrihet një komision parlamentar. Pyetja në këtë rast shtrohet, pse kërkohet një ligj i veçantë kur Parlamenti e ka të rregulluar me ligj këtë pretendim të opozitës? Pretendimi i opozitës është se ligji duhet të përcaktojë përbërjen e komisionit dhe objektin e hetimit. Pra, komisionit t’i jepet e drejta të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ. A nuk përbën ky pretendim një precedent të rrezikshëm për të ardhmen e pavarësinë së institucioneve? Gjithashtu, opozita e konsideron Parlamentin një institucion me legjitimitet të cunguar dhe në të njëjtën kohë, kërkon nga ky institucion të nxjerr një ligj legjitim? A ka kuptim kjo gjë nga pikëpamja e së drejtës? E harrojmë për një moment aspektin juridik dhe ndalemi në aspektin e fakteve të reja që mund të vijnë nga puna e këtij komisioni. Në këtë kontekst, opozita pretendon se shumica e anëtarëve të komisionit duhet të jenë nga opozita dhe pjesa tjetër nga pozita. Nëse komisioni hetimore do të ketë përfaqësues edhe nga pozita, atëherë raporti përfundimtar që do të lexohet në Parlament do të jetë në dy variante, sipas variantit opozitar dhe atij qeveritar dhe problemi që lind në këtë rast është se publiku dhe institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare kujt raporti duhet t’i besojnë? Le ta hamendësojmë më tej punën e këtij komisioni. Siç është bërë e njohur, ky komision do të hapë disa kuti votimi, pasi ka të dhëna nga disa komisionerë në rrugë informale që në disa qendra votimi janë vërejtur shkelje në procedurën e numërimit dhe të dokumentimit të rezultatit. Themi në rrugë informale, pasi këta komisionerë nuk kanë shprehur asnjë vërejtje, pretendim apo shkelje në formularët e dorëzuar pranë KQZ-së apo t’i bëjnë publike pretendimet e tyre në rrugë mediatike. Pyetja që shtrohet në këtë rast prek dy aspekte. Aspekti i parë lidhet me arsyetimin se pse do të numërohen vetëm disa kuti që opozita mendon se ka parregullsi kur edhe pozitës mund t’i lind e drejta të pretendojë për të rinumëruar disa kuti të tjera që ajo pretendon se mund të ndryshojnë rezultatin final. Në këtë rast nuk do të ishte më mirë që të rinumëroheshin të gjitha kutitë e votimit për të qenë të dyja krahët politikë në kushte të barabarta? Aspekti ligjor. Kush do të bëjë numërimin, monitorimin dhe certifikimin e rezultatit, pasi opozita akuzon të gjithë komisionerët e saj për manipulim votash të vendosur në KZAZ-të, QNV-të? Normalisht, zgjidhja në këto raste do të ishte të propozonte komisionerë të tjerë, që të mund të bënin rinumërimin dhe monitorimin siç duhet. Por nëse problemi qenka thjesht tek zëvendësimi i komisionerëve, kush jep garanci që edhe këta komisionerë nuk do të manipulohen përsëri nga qeveria (siç pretendon opozita). Çfarë rrethanash kanë ndryshuar që të besojmë të kundërtën?

Gjithashtu, rezultati i dalë nga këto qendra numërimi do të ketë nevojë të certifikohet tek institucionet që kanë tagrin për ta bërë këtë gjë, KQZ dhe ndoshta për ndonjë ankimim të mundësh Kolegjin Zgjedhor? Edhe këtu na lind një problem, pasi opozita ka akuzuar si KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor për njëanshmëri në vendimmarrjen e tyre për shkak të presionit të qeverisë. Si do të bëhet me këto dy institucione? Si mund të zëvendësohen anëtarët e këtyre dy institucioneve ose të detyrohen të zbatojnë ligjin, pasi ata mund të shprehen përsëri në favor të qeverisë? Cili mund të jetë ai mekanizëm që mund ta ndryshojë këtë realitet? Hamendësoj për një moment, që komisioni hetimor do të fillojë rinumërimin e kutive të numërimit. Sa kohë do të zgjasë kjo gjë? Çfarë statusi do të ketë Parlamenti aktual dhe ligjet e miratuar nga ai gjatë kësaj periudhe nga pikëpamja ligjore? Po marrëveshjet e realizuar nga pala qeveritare gjatë kësaj kohe çfarë vlere juridike dhe kushtetutshmërie do të kenë?

Le të mendojmë për një moment se opozita e detyron qeverinë të vendosë për zgjedhje të parakohshme. Ky precedent i vendosur nga opozita, kush na garanton neve si qytetarë që nuk do të imitohet nesër nga ana e pozitës nëse humbet zgjedhjet? Justifikimi që po jepet sot është se kauza jonë ka mbështetje popullore? Po pse opozita e nesërme nuk arrin dot të mbledhë në shesh militantët e saj? (A ju kujtohet protesta e opozitës në 2004 të organizuar nga PD me sloganin “Nano ik!”).

Pyetja tjetër është a kemi luksin të organizojmë zgjedhje të parakohshme në këtë situatë ekonomike, politike, institucionale, ku aspektet integruese drejt strukturave të BE, liberalizimi i vizave, kapërcimi i efekteve negative të krizës globale në ekonominë e vendit janë më të rëndësishme në planin qytetar se thjesht kurioziteti se çfarë ka në ato kuti?! Aq më shumë ku pasojat juridike që krijon një precedent i tillë nuk kontribuon në konsolidimin e institucioneve ligjore, por përkundrazi krijon premisa për veprime me pasojë destabilizimin e vendit.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›