E Diel, 1 Nëntor 2026

Mësimi boshnjak për masakrimin sirian

12-04-2012 / Nga Christiane Amanpour (CNN)

Para njëzetë vjetësh, më 5 prill të vitit 1992, Suada Dilberoviq dhe Olga Sushiq, ishin qëlluar në Sarajevë. Ato ishin të shtëna që morën dhenë dhe ato ishin vrasjet që nisën luftën e Bosnjës. Kam raportuar prej asaj lufte dhe shumë kolegë janë mbledhur gjatë javës së kaluar në Sarajevë për të përkujtuar mijëra jetë të humbura, shumë të tjerë të plagosur dhe miliona refugjatë. Kjo ishte lufta që neve na e mësoi termin “spastrim etnik”. Fuqia dominuese atëherë në Ballkan, Serbia, donte ta mbante Jugosllavinë të bashkuar, dhe duke dështuar ta bënte një gjë të tillë, provoi të spastronte zona të tëra të pastra etnikisht në vendet që po shkëputeshin, me qëllim të krijimit të një Serbie të Madhe. Ishte një fantazi e tmerrshme që u mundua të shkatërronte bashkësinë e përzier etnikisht, me shumë martesa të kombësive të ndryshme, që deri atëherë kishin jetuar në paqe dhe po shënonin një progres gradual në Bosnjë.
Kjo lufte ishte përcaktuese për rajonin, për botën dhe për ne që e mbuluam atë nga terreni. Ne dëshmuan rezistencën heroike të një popullsie nën rrethim, dhe granatimet dhe gjuajtjet e snajperëve për katër vjet me radhë. Ne mësuam dhimbjen derisa shihnim burra, gra dhe fëmijë duke u masakruar në mënyrën më brutale. Ata nuk ishin luftëtarë, ishin njerëz që qëlloheshin derisa ecnin rrugëve. Qëlloheshin nga snajperët dhe granatat kur shkonin të merrnin ujë, bukë, naftë, madje edhe kur shkonin në shkollë. E morëm vesh edhe cinizmin e bashkësisë ndërkombëtare që refuzonte për një kohë të ndërhynte. Morëm vesh sesi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj nuk linin mënyrë pa gjetur - madje edhe refuzonin përdorimin e fjalës gjenocid - që të mos përfshihen në këtë luftë. Kurrë nuk do të më hiqet para sysh shkuarja në varrime, një herë për një vajzë të quajtur Almedina. Sarajeva e rrethuar kishte mbetur pa gjithçka, madje nuk kishte edhe një shkumës që në varrin e Almedinës të shkruhej shkronja “A”, që ta dinim sesi shqiptohej saktësisht emri i saj. Kurrë nuk do t’i harroj nënat dhe baballarët trima që u munduan ta thyenin rrethimin përreth Aeroportit të Sarajevës, derisa përpiqeshin të kalonin në një fshat matanë për të blerë disa pemë dhe perime, gjithçka që mund të ushqente shpirtin e lodhur. Prisnin se do të kishte ndihmë ushqimore nga ajri. Atë natë isha me ta, një baba ia doli të gjente një mollë të vetme për fëmijën e tij. Për një mollë kishte rrezikuar jetën e tij. Të premten, më shumë se 11 mijë karrige u lanë të zbrazëta në shenjë kujtimi të fortë për të gjithë ata që u vranë në rrethimin e Sarajevës. Së bashku me shumë qytetarë të Sarajevës dhe të qyteteve e fshatrave të tjera boshnjake, u vranë edhe shumë kolegë tanë. Shumë të tjerë u plagosën.
Dhe kush do t’i harrojë në jetën e vet kampet e vdekjes, të burgosurit që u kishin dalë eshtrat që të kujtonin krimet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore? Dhe kjo po ndodhte në fund të shekullit të njëzetë. Kjo ishte epokë e satelitit. Ishim atje dhe raportonim prej dite në ditë, javë pas javësh, muaj pas muajsh......vit pas viti. Kjo ishte epoka e “kurrë më” dhe ajo po ndodhte përsëri - spastrimi etnik dhe gjenocidi po ndodhnin këtu, në oborrin tonë, para syve tanë. Ne luftuam me të gjithë fuqinë e medieve tona. Për mua, Bosnja ishte vendi ku unë mësova të vërtetën. E tmerruar kur njerëzit që shikonin seri me sy më thoshin se po mbaja anë, ose nuk isha objektive, isha e shtrënguar të konfrontoja këtë ndryshim, dhe ta ekzaminoja Rregullën tonë të Artë. Këtu në Bosnjë, e pashë se nuk ka dykuptimësi morale, asnjë linjë të hollë ndërmjet viktimës dhe agresorit karshi krimeve të pathëna dhe shkeljeve më serioze të rendit ndërkombëtar humanitar. Objektivitet do të thotë t’u japësh të gjitha palëve hapësirën e drejtë. Nuk nënkupton tërheqje e një linje të dykuptimësisë së moralit të rrejshëm. Në raste të tilla, nuk ka - kjo palë dhe ajo palë. Dhe çdokush që kërkon të fshihet nën shpifje jo vetëm se është gënjeshtar, por është një bashkëfajtor në rastin e gjenocidit.
Refuzova. Është mësim i jetës time.
Sikur se të gjithë e dimë, dhjetëra e mijëra vdekje të mëvonshme, përfshirë në Srebrenicë në verën e vitit 1995, masakra më e tmerrshme në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës më në fund intervenuan me aleatët e NATO-s, i dhanë fund luftës dhe lansuan një paqe që edhe sot mbretëron. Asnjë vend, asnjë krizë, nuk është e njëjtë. Afër mendsh se Siria nuk është Bosnjë, as nuk është Libi, por në Sirinë e ditëve të sotme një ushtri e armatosur deri në dhëmbë po rrethon dhe masakron njerëz të thjeshtë civilë dhe lufton rebelë që nuk krahasohen me shtetin për nga armatimi, derisa Qeveria mundohet ta shtypë kryengritjen.
Po sikur në Bosnjë, rebelëve/opozitës siriane nuk i është dhënë e drejta të vetëmbrohet nga frika e “zgjerimit të konfliktit në terren, dhe kjo do ta përkeqësonte atë”. Po sikur në Bosnjë kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj thanë se nuk mund të intervenonin për shkak se “është një luftë civile dhe të gjitha palët janë barabar fajtore”, (edhe pse nuk ishte rast i qartë se kush ishte agresori) në Siri, politikanët perëndimorë thonë se “nuk dinë kujt t’i ndihmojnë, kë të armatosin, opozita është e fragmentuar”. Mësimi i nxjerrë nga Bosnja është se bota jonë demokratike dhe e lirë, që mundohet t’i mbrojë vlerat më të larta të njerëzimit, nuk mund më të shohë seri me sy derisa masakrohen civilët e thjeshtë.
Është një mësim që mori goxha kohë derisa u zbatua në Bosnjë, dhe paqja nuk është e përsosur, por së paku ndali vrasjet.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›