E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i partive popullore mbështet dhënien Shqipërisë të statusit të kandidatit

12-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha ka marrë pjesë në Konferencën me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i Partive Popullore Evropiane. Eurodeputetët Daul e Posselt theksuan se kishte ardhur koha që Shqipëria të shpërblehej për reformat e saj, ndërkohë që kryeministri Berisha ka kujtuar se statusi do të ishte një lajm i madh në 100 vjetorin e Pavarësisë

Kryeministri Sali Berisha ndoqi në Bruksel punimet e Konferencës me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian si dhe iu drejtua me një fjalim këtij paneli. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për interesin e madh që ka treguar grupi parlamentar i Partive Popullore Evropiane ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve në këtë vend. Për kreun ekzekutivit shqiptar, projekti më i madh i vendit është integrimi në Bashkimin Evropian, i cili mbështetet nga 94% e shqiptarëve. Berisha garantoi liderët e Partisë Popullore për përmbushjen e reformave, me qëllim realizimin e objektivave të integrimit. “Vendi im, që këtë vit do të festojë vitin e 100-të të Pavarësisë, aktualisht ka si projektin më të madh integrimin në BE. Ky projekt mbështetet gjerësisht nga shqiptarët, 94% e tyre besojnë në këtë projekt. Unë besoj se ata janë njerëz të zgjuar, ata besojnë në të, sepse e ndjejnë që përmes tij do të bëhen më të sigurt, më të lirë, më të begatshëm. Prandaj qeveria ime është plotësisht e përkushtuar në një univers reformash, për të realizuar këto objektiva”- u shpreh Berisha. Kryeministri i njohu të pranishmit me zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka pasur një rrugë të mundimshme, por që ka qenë një rrugë përparimi. “Shqipëria, në të kaluarën ka pasur të dhëna të hidhura për krimin e organizuar, tani ka të dhëna të qarta kristal më të ulëta se mesatarja e vendeve anëtare të BE, për sa i përket krimeve të rënda. Vitin e kaluar patëm më shumë se 4 milionë turistë dhe asnjë prej tyre nuk ka pasur asnjë problem në vendin tim, veçse ka gjetur mikpritje. Në vendin tim korrupsioni ishte një problem shumë i madh, ende është problem, por ne jemi përherë të angazhuar në luftën kundër tij. Në shumë aspekte ne jemi vendi i parë në botë me prokurime plotësisht elektronike. Vendi im tani ka online të gjitha shpenzimet buxhetore në të gjithë vendin. Ka një politikë penaliteti kundër korrupsionit, qindra e qindra zyrtarë janë penalizuar gjatë këtyre viteve. Rezultati i përgjithshëm i kësaj lufte është: në 6 vjet, 7 miliardë dollarë më shumë se më parë, jo të gjitha për shkak të luftës ndaj korrupsionit, por shumica e tyre vijnë nga lufta kundër korrupsionit. Rezultate të tjera: është krijuar një klimë shumë më e drejtë në të gjitha prokurimet publike; janë bërë reforma të thella për privatizimin e të gjithë sektorëve.
Për mua, konsiderimi i korrupsionit si “mater matrix” i të gjitha gabimeve të shoqërisë, është dhe do të mbetet një prioritet kryesor, lufta ndaj tij”- tha kryeministri. Berisha i njohu të pranishmit me progresin e theksuar të Shqipërisë, sidomos në fushën ekomomike, pasi sot vendi renditet në nivelin e vendeve me të ardhura mesatare - të larta.
“Mirëqenia është një qëllim fisnik për çdo vend, por asnjë vend nuk ka bërë më shumë në 20 vjet se sa vendi im. Më lejoni t’ju kujtoj se në vitin 1992, Shqipëria dhe Angola ishin vendet më të varfra në botë. Tani Shqipëria renditet në nivelin e vendeve me të ardhura mesatare - të larta. Vjeshtën e shkuar në vend u bë një census dhe të dhënat siguronin se shtresa e mesme e konsoliduar është rezultat i këtyre 20 viteve. Shqiptarët lanë pas 5 vende të OECD-së. Reformat tona ekonomike funksionuan dhe ne kemi barrën fiskale më të ulët, përpiqemi të krijojmë një klimë miqësore ndaj investitorëve. Në 4 vitet e fundit, investimet e huaja direkte, duke iu referuar UNCTAD, janë rritur me 316 % dhe eksportet, nga viti 2009, deri në vitin 2011, janë mbidyfishuar. Kështu, që në 5 vite, rritja ekonomike në total ka qenë 21 %. Gjithsesi, pasojat e krizës globale janë të pranishme, por ne besojmë se liria është ilaçi më i mirë. Kështu që ne po ecim përpara me reformat.
Ne besojmë se ekonomia duhet të jetë e bazuar mbi dijet, prandaj, në vitin 2005 ne kemi pasur 12 studentë për çdo 1000 banorë, ndërsa tani kemi 49 studentë për çdo 1000 banorë. Ne po punojmë fort, që të ruajmë dhe ta zhvillojmë cilësinë në universitetet tona”- tha kryeministri. Berisha foli për progres në sistemin e shëndetësisë ku tha se Shqipëria ka përqindjen më të ulët foshnjore nga të gjitha vendet ish-komuniste. Kryeministri shtoi se qeveria do vazhdojë reformën në këtë sektor, për një shërbim shëndetësor cilësor. “Shqiptarët, si çdo qytetar tjetër i Evropës, meritojnë një sistem shëndetësor cilësor. Përpjekje të mëdha po bëhen. Çfarë kemi arritur këtë vit? Ne kemi arritur statistikat njëshifrore për sa i përket vdekshmërisë foshnjore në vend. Ne kemi një nga vdekshmëritë më të ulëta të nënave në botë. Ne kemi përqindjen më të ulët foshnjore nga të gjitha vendet ish-komuniste. Ne kemi aksesin më të lehtë në sistemin shëndetësor”- tha ai. Infrastruktura rrugore, është një tjetër tregues i zhvillimit, tha kryeministri, teksa do t’u mundësojë shqiptarëve në të gjithë skajet e vendit që të arrijnë në destinacionin e tyre, duke kursyer 60 % të kohës. Shqipëria, tha Berisha ishte një nga vendet me përhapjen më të ulët të Internetit, ndërsa sot renditet në mesataren e vendeve evropiane në këtë drejtim. “Këto janë arritjet, por ne kemi pasur gjithashtu problemet tona serioze dhe për këtë u jam shumë mirënjohës Partive Popullore Evropiane, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, për ndihmën e madhe që kanë dhënë për të zgjidhur ngërçin me opozitën”- tha më tej kryeministri. Duke u ndalur te situata politike, kreu i qeverisë pohoi se mazhoranca dhe opozita po punojnë bashkërisht në një klimë normale, duke treguar konstruktivitet dhe reciprocitet. Berisha kujtoi se opozita “luftoi” mazhorancën për dy vite radhazi, ndërsa në fund pranoi ofertën që shumica ia kishte shtruar çdo ditë. “E vërtetë është se opozita nuk ka qenë asnjëherë një opozitë anti-evropiane. Por ata luftuan, duke mos votuar në parlament dhe kujtuan se, nëpërmjet kësaj, ata do të penalizonin qeverinë dhe se do të përfitonin nga kjo. Por ky ishte një gabim. Erdhën zgjedhjet vendore dhe ata humbën, duke marrë 12 % më pak vota sesa mazhoranca. Ata humbën Tiranën dhe ata pranuan më në fund atë që qeveria u kishte ofruar çdo ditë, për dy vjet me radhë. Tani po punojmë bashkërisht në një klimë normale, duke treguar konstruktivitet dhe reciproritet dhe, vjeshtën e shkuar, u arrit një marrëveshje nga të dy palët. Ne shpresojmë që kjo klimë do të vazhdojë dhe Shqipëria do të shënojë progres të mëtejshëm në drejtim të integrimit evropian të cilin, si proces, unë e konsideroj të bazuar tërësisht në meritë dhe performancë, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo është mënyra më e denjë që të ecim drejt projektit më madhor që kemi”- theksoi ai.
Gjithashtu, shefi i ekzekutivit ftoi në ceremoninë jubilare të 100 vjetorit të Pavarësisë, Presidentin e Grupit të Partive Popullore Evropiane, Joseph Daul si dhe drejtuesit e partive anëtare të PPE. “Ngjarja më e madhe në historinë e Ballkanit këtë vit është 100 vjetori i Pavarësisë së shqiptarëve. Ndaj, zoti President Joseph Daul dhe të nderuar miq, jeni të ftuar të vizitoni Shqipërinë dhe kështu, keni mundësinë të shihni nga afër ndryshimet që ka bërë Shqipëria”- përfundoi kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të mediave shqiptare që ndoqën punimet e kësaj konference, në Bruksel   

Zoti Kryeministër, cili ishte mesazhi i Konferencës dhe çfarë përkrahjeje morët nga përfaqësuesit e PPE-ve?
Siç e patë, ishte një konferencë e shkëlqyer, ku miqtë e Partive Popullore e organizuan atë tërësisht në mbështetje të proceseve integruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të vlerësimit të progresit dhe të detyrimeve që janë për t’u përmbushur. Por ajo që ishte e rëndësishme dhe që u theksua këtu, ishte fakti se fryma e Selanikut është e gjallë, premtimi i Selanikut është për t’u mbajtur dhe do të mbahet. Mendoj se ishte një konferencë shumë e mirë. Kjo është konferenca e dytë që PPE-të organizojnë për Ballkanin Perëndimor. Ishte një rast për mua që të ekspozoja zhvillimet në Shqipëri, por edhe të ftoja miqtë e mi në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, që përbën dhe ngjarjen më madhore  këtë vit për Ballkanin.

A jeni i bindur se këtë vit Shqipëria do ta marrë statusin e kandidatit?
Bindja ime është se qeveria do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet e saj. Deri tani,  unë mund të them se opozita po përmbush detyrimet e veta. Ky është vlerësimi im. Qeveria po punon intensivisht për të përmbushur detyrimet dhe po i përmbush ato. Natyrisht, ky është një proces që po përsoset në mënyrë të vazhdueshme, por qeveria po punon me seriozitetin më të madh në të gjitha fushat, në mënyrë që të përmbushë standardet e kërkuara.

Ju folët edhe për korrupsionin në këtë panel, por korrupsioni mbetet shqetësim serioz gjatë gjithë kohës në Shqipëri. Si e vlerësoni faktin që, gjatë dy mandateve tuaja, nuk ka pasur asnjë ministër a zv/ ministër të akuzuar apo të dënuar për korrupsion?
E rëndësishme është që kjo është qeverisja e parë që hiqen imunitetet. Nuk gjen dot një vend tjetër në të cilin, siç ndodhi te ne vetëm dy ditë më parë, të jenë vendosur para ligjit 7-8 zyrtarë së bashku,. Kjo është qeverisja e parë në të cilën ka një proces reformash serioze për luftën kundër korrupsionit dhe ka një politikë penale të qëndrueshme për luftën kundër tij. Lidhur me pyetjen tuaj mund të them dy gjëra; drejtësia shqiptare, pavarësisht nga vakumet që ka, në rast se i referohemi 2 momenteve, ato flasin më shumë se të gjitha akuzat e tjera. Së pari, në vitin 2005, popullata e burgjeve në Shqipëri ishte tërësisht 1800 persona, sot është rreth 5 mijë. Mos harroni se janë këta gjykatës që japin çdo ditë drejtësi. Së dyti, 60 për qind e proceseve në të cilat qeveria paditet, fitohen nga pala tjetër. Në qoftë se 60 për qind e këtyre vendimeve jepen jo në favor të qeverisë, kjo do të thotë se kjo drejtësi funksionon në mënyrë të pavarur. Por lidhur me faktin se a duhet të kemi apo jo “koka turku”, unë mund të them se ne duhet të kemi shtet ligjor të fortë”. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›