Mësimi që na vjen nga SHBA
Ideja për copëtim të Kosovës është e pranishme në opinionin publik që nga viti 1996, kur revista prestigjioze italiane “Limes” intervistoi shkrimtarin dhe akademikun serb Dobrica Qosiç. Se copëtimi i Kosovës është rreziku më i madh për Kosovën dhe se është një qëllim i fundit i Beogradit kjo është thënë nga autori i këtyre rreshtave në gazetat e Tiranës më 1994, që do të thotë edhe dy vite para se Qosiçi ta thoshte këtë në mënyrë eksplicite, ndërsa është dokumentuar shkencërisht në disertacionin e mbrojtur në maj 1999 me titullin “Tendencat serbe për copëtimin e Kosovës” Nexhmedin SPAHIU ...po nga autori i këtyre rreshtave dhe i botuar një muaj më vonë. Koketimi me këtë tendencë serbe është bërë edhe nga ana e disa personaliteteve publike të Prishtinës me idenë për shkëmbim territoresh. Në kohën kur Prishtina nuk kontrollonte as Veriun e Kosovës e as Luginën e Preshevës, ndërsa Beogradi i kontrollonte që të dyja, ideja për shkëmbim territoresh nuk ishte asgjë më tepër se sa legjitimim i politikës së Beogradit për copëtim të Kosovës.
Në fakt, reagimi i Prishtinës në tendencat serbe për copëtimin e Kosovës ka qenë vazhdimisht jo adekuat. Në kohën kur Kosova ishte e pushtuar, reagimi i Prishtinës ishte tejet naiv: “Kosova nuk mund të copëtohet, sepse Kosova nuk është Bosnje”. Pas vitit 1999 kur u pa që Kosova u copëtua de-facto, atëherë reagimi i Prishtinës ishte se tani pushtetin e ka UNMIK-u dhe pasi Kosova ta fitojë pavarësinë çdo gjë do të rregullohet. Erdhi koha dhe Kosova e shpalli pavarësinë po copëtimi i saj u bë edhe më evident. Sa më shumë që ecën koha, aq më të vogla bëhen gjasat për integrimin e vendit dhe aq më shumë shtohen zërat për legalizimin e copëtimit të Kosovës si një realitet politik. Për fat të keq të Kosovës tani po futemi në fazën kur këtë gjë po e përkrahin jo vetëm aleatët e Beogradit, por pak e nga pak edhe disa nga miqtë tanë të deridjeshëm.
Tani Prishtina zyrtare ka ngulmuar se është kundër shkëmbimit të territoreve që praktikisht do të thotë se nuk qanë kokë për Luginën e Preshevës. Ky qëndrim është tërësisht i gabuar dhe në funksion të thellimit të mëtutjeshëm të copëtimit të Kosovës. Në fakt, çështja e Luginës së Preshevës nuk është vetëm çështje e përkatësisë etnike të popullsisë së saj. Çështja e të drejtave të banorëve të Luginës së Preshevës afekton situatën politike e ekonomike në Kosovë nga vetë fakti se ndodhet në kufi të Kosovës pa shtuar faktin e përkatësisë etnike. Edhe kur të jetë fjala për zhvillimet politike e ekonomike në Sanxhakun e Novi Pazarit, Prishtina do t’ishte tejet e papërgjegjshme nëse do të tregohej mospërfillëse.
Gjëja më kryesore është se Kosova duhet të zhvillojë politikë konsistente me parimet e saj të zhvillimit si komb. Nëse multi-etniciteti, barazia, shanset e barabarta, tregu i lirë, shoqëria e hapur etj., janë parimet e këtij kombi të porsakrijuar atëherë lidershipi i Kosovës duhet të sillet konform këtyre parimeve edhe në politikën e jashtme.
Nëse Beogradi nuk është i interesuar të integrojë Luginën e Preshevës apo Sanxhakun e Novi Pazarit dhe popullsia e këtyre krahinave dëshiron t’i bashkëngjitet Kosovës, Kosova nuk duhet ta refuzojë këtë. Është tjetër gjë nëse Prishtina do të zhvillonte politikë agresive me qëllim të marrjes së këtyre krahinave gjë e cila do t’ishte tejet aventureske. Por Prishtina nuk ka përse ta kundërshtojë vullnetin e preshevarëve për bashkim me Kosovën. E njëjta gjë do të vlente nëse këtë do ta shprehte Sanxhaku i Novi Pazarit. Parimet e Grupit të Kontaktit për moskthim prapa, mosbashkëngjitje një shteti tjetër dhe mos ndarje të Kosovës nuk kanë të bëjnë edhe me mundësinë që Kosovës t’i shtohet ndonjë territor në mënyrë të vullnetshme. Edhe pse kjo gjë është jashtë mundësive reale për të ndodhur, sepse Kosova nuk po është në gjendje të realizojë kontrollin e kufijve të vet e lëre më të marrë territore tjera, deklaratat si këto të fundit të lidershipit kosovar janë të dëmshme. Qëndrimi Kosovar do të duhej t’ishte: “Jemi dakord që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës, por ne nuk japim asnjë pëllëmbë të Kosovës. Kosova nuk ka arsye të ndahet”. Kosova ka qasje multietnike dhe s’ka përse të ndahet. Nëse për politikën e Beogradit Lugina e Preshevës është një pengesë për shkak të qasjes së saj jo të drejtë ndaj pakicave etnike, ne jemi të gatshëm të bisedojmë që Lugina e Preshevës t’i bashkëngjitet Kosovës nëse veç ky është i vullneti banorëve të Luginës.
Në fakt, siç thashë më lart, e gjithë zhurma që bëhet në këtë drejtim nuk bëhet për këmbim territoresh po për copëtim të Kosovës. Derisa lidershipi Kosovar deklarohet kundër shkëmbimit të territoreve, për banorët e Luginës së Preshevës kjo tingëllon demoralizuese. Beogradi zhvillon trysni për shpërnguljen e tyre drejt Kosovës e më këtë ngritë tensionet etnike në Kosovë. Çdo ngritje e tensioneve etnike në Kosovë shkon në favor të copëtimit të Kosovës. Prandaj Uashingtoni zyrtar dha përgjigjen meritore: “Jemi kundër copëtimit të Kosovës” duke i bërë me dije kosovarëve dhe opinionit të gjerë se kjo zhurmë nuk ka të bëjë me shkëmbim territoresh, por me copëtim të Kosovës. Kjo duhet të jetë një mësim për lidershipin kosovar.