Muhedini: Berisha na premtoi ministri nëse merrnim deputet
BLEDAR HOTI
Partia Drejtësi dhe Integrim i kërkon Kryeministrit Sali Berisha që të mos e lërë jashtë përfaqësimit në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Kreu i PDI-së, Tahir Muhedini, në një intervistë për “Panorama” shprehet se lideri i PD-së, Berisha, duhet të zbatojë marrëveshjen për t’i dhënë një portofol ministror partisë së tij. Rezultatin e këtyre zgjedhjeve, Muhedini e cilëson historik për PDI dhe vetë atë.
Zoti Muhedini, për herë të parë Partia Drejtësi dhe Integrim futet në Parlament. Si e vlerësoni ju këtë moment?
Për PDI-në dhe për mua personalisht ky është një moment historik. Ne jemi një forcë e re politike, e krijuar katër vjet më parë, që marrim pjesë në spektrin politik shqiptar. Neve këtë rezultat e arritëm falë punës së madhe që kemi bërë këto katër vite, ne kemi marrë përsipër një çështje shumë të rëndësishme, shumë delikate, shumë madhore dhe shumë tragjike, siç është zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.
Tani që ju keni zërin tuaj institucional në Kuvend, si do të veproni në të ardhmen për sensibilizimin e kësaj çështjeje?
Deri dje ne jemi marrë në rrugë private për mbrojtjen e kësaj çështje. Tani do të kërkojmë që edhe nëpërmjet deputetëve tanë që shkojnë në seanca parlamentare në KE apo në institucione të tjera ndërkombëtare të ngrenë më të madhe këtë çështje dhe të mos flasin vetëm për respektimin e minoritetit grek. Duhet të dini se para tre vitesh nuk dihej nga KE dhe BE që ekzistonte një çështje e tillë. Fillimisht ne do të bëjmë një lobing, duke kërkuar mbështetjen e spektrit të majtë dhe të djathë për miratimin e një rezolute për çështjen çame.
A keni një marrëveshje pwr çështjen e qeverisjes me PD-në dhe ku konsiston ajo?
Siç dihet ne kemi bërë një akt marrëveshje, parazgjedhore me Kryeministrin Berisha për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje, para dhe pas votimeve të 28 qershorit. Ka qenë një pakt xhentelmentësh, në të cilën ishte rënë dakord se nëse ne do të merrnim mandat në Kuvendin e ardhshëm, do të kishim portofol ministror në qeverisjen e ardhshme. Në rast se nuk do t’u përfaqësoheshim në Kuvend do të kishim poste në nivele të dyta dhe të treta, në rang drejtorësh. Deri më sot nuk kam biseduar ende me kreun e PD-së, Berisha, presim që të na thërrasë për të diskutuar për mënyrën e bashkëqeverisjes në këto katër vjet.
Ju si PDI insistoni që të merrni patjetër një portofol ministror në qeverinë e ardhshme?
Unë mendoj se forca jonë politike i ka të gjitha kapacitetet dhe mundësitë të marrë një vend në qeverinë e ardhshme, me një post ministror. Dhe për derisa ne kemi objekt një çështje kaq madhore, respektimi i të drejtave të njeriut, mendoj se është me vlerë të veçantë përfaqësimi jonë në Qeveri. PDI ka intelektualë nga shoqëria civile, të papërlyer nga problemet e diktaturës, të burgimeve apo vrasjeve. Kështu që prania jonë në kabinetin qeveritar i bën mirë edhe politikës shqiptare, por i bën mirë edhe njëkohësisht doktor Berishës. Neve si PDI i kemi të gjitha kapacitetet që jo të drejtojmë vetëm një ministri, por disa ministri po të na jepet mundësia. PDI është gatshme të japë kontributin e tij në të gjitha dikasteret.
Nëse ju kërkohet që mos keni post ministror, ju nuk do të bëheni pengesë për krijimin e qeverisë së re?
Unë mendoj se nuk ka asnjë lloj pengese, që PD-ja dhe lideri i saj, Berisha të mos na vlerësojë neve si PDI në formimin e kabinetit të ri qeveritar. Ne jemi e vetmja forcë politike që bëmë një fushatë korrekte, që i ka shërbyer koalicionit “Aleanca për Ndryshim”, nuk kemi dëmtuar PD-në, madje e kundërta ka ndodhur, aty ku nuk kemi pasur peshë në elektorat u kemi kërkuar që të votohet PD-ja. Kështu në qarkun e Vlorës, ne jemi dëmtuar pasi PS dhe PD kanë pasur kandidatë nga komuniteti çam, si Shpëtim Idrizi dhe Leonard Demi. Pra kjo u bë për të dëmtuar pikërisht partinë tonë.