Peter: Në Tiranë si agjent i fshehtë
Quhej Peter Boevé dhe vizitonte Tiranën me tagrin e kryetarit të Partisë Komuniste të Holandës, por asnjëherë nuk u prezantua me emrin e vërtetë. Në takimet zyrtare, duke filluar nga ato me Enverin, shfaqej me pseudonimin Chris Petersen. Teksa demonstronte orë e çast para autoriteteve shqiptare besnikërinë për kauzën e marksizmit, nuk harronte të depërtonte në pjesën e panjohur të zhvillimeve politike në vendin e vetëshpallur si “Zemra e revolucionit”. Në fund të fundit ky ishte dhe misioni i vërtetë, për të cilin Peter Boevé u shpërblye nga institucionet zyrtare të Holandës edhe nga CIA amerikane, e cila çmonte fantazinë gjeniale me të cilën ai kapërceu në bunkerin shqiptar.
Po si arriti Peter Boevé deri këtu? Misteri i misionit në Tiranë zbardhet së fundi në një libër të botuar në Holandë me autor Fritz Hoekstra. Në kujtimet e këtij ish-agjenti të hershëm “Në shërbim të sigurimit sekret ndërkombëtar. Spiunazhi dhe kundërspiunazhi në Holandë” bëhet e ditur për herë të parë historia misterioze që mban për protagonist liderin e PK të Holandës…
Fantazma e liderit të partisë fantazmë
Prezantimi i parë në Tiranë me liderët komunist holandezë është bërë diku nga fundi i viteve ‘60. Në harkun e 10 viteve, autoritetet politike shqiptare, pa ditur ç’fshihej pas profilit të tyre, mbajtën marrëdhënie të afërta, madje kontaktet me ta i vlerësonin me interes. Agim Popa, ish-drejtori i Drejtorisë së Jashtme të KQ, nga kontaktet me Chris Petersen, kujton interesimin e veçantë të tij për luftën ndaj shfaqjeve të huaja dhe ekstravagancës së rinisë. “Sakaq, pohon ai, liderët holandezë nuk e fshihnin në takimet me ne, një lloj kërshërie të tepruar për të zbuluar depërtimin e ndikimit të “rrezikut maoist” në Holandë.
Ish-funksionari i KQ, shprehet se në asnjë rrethanë nuk është vënë në dijeni për qëllimin e dyfishtë të misionarëve nga Holanda. Madje Popa, siç vë në dukje, as tani nuk di gjë për të vërtetën e lojës së Petersenit me shërbimeve agjenturore në Shqipëri…
Dollarët e mykur të Tiranës
“Në Tiranë dhe Pekin teksa shërbeja si agjent merrja dhe shpërblime financiare si kontribuues i lëvizjes komuniste ndërkombëtare” shprehet Peter Boevé në kujtimet e tij nga periudha kur hiqej si kryetar i Partisë Komuniste të Holandës, ku pohon ndër të tjera pagesën që merrte nga “miqtë” që i survejonte në fshehtësi. “Ishin pagesa në dorë me dollarë amerikanë nga Shqipëria, shpjegon ai, dhe më mbaj mend që mbanin erë shumë të keqe, mbase ishte pjesë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore dhe të mbajtura në kushedi se çfarë bodrumi me lagështi”. Ish-lideri holandez, vazhdon të mbetet i çuditur nga mënyra si shqiptarët e besuan verbërisht pa dyshuar një herë në misionin e vërtetë të tij. “Bujaria” me valutën e falur në kohën kur vendi përjetonte krizën e tejskajshme, ishte diçka paradoksale. Ndihma shqiptare shkonte kështu për një shërbim të fshehtë perëndimor që kishte në fokus vet atë. Lideri holandez arriti deri aty sa të krijonte me fondet e Tiranës në Amsterdam Fondacionin Holandë-Shqipëri, i cili fund e krye u destinua për punonjësit e agjenturës vendase. Shumëkush prej holandezëve që do vizitonte Shqipërinë merrte më parë “vizën” nga krerët e këtij fondacioni. Peter thotë se shumat për aktivitetin e tij nga Tirana dhe Pekini ishin jo të pakta.
Peterseni,
agjent i CIA-s
Në librin e Hoekstrës që bën fjalë për misionin agjenturor të Peterit në Shqipëri, pohohet se për të ka pasur dijeni dhe CIA amerikane. Madje, shton Hoekstra, CIA kishte mbetur e habitur nga ideja e holandezëve për natyrën e këtij misioni që bëri të mundur depërtimin në kërthizën e vendit më të izoluar të kampit socialist. “Këta agjentë me “këpucë druri”, shton ai, për CIA-n ishin shumë më të zgjuar nga ç’mund të pandehje”. Në dokumentet e CIA-s, ky mision ishte koduar me emrin “Harringu i kuq” që të kujtonte emrin e peshkut të njohur në Amsterdam. Nga ana e vet Peter kujton lodhjen e padurueshme për të artikuluar para homologëve shqiptarë tezat pambarim nga veprat e Enverit dhe klasikëve të Marksizmit. “Përndryshe, shprehet ai, nuk mund ta kaloja “provimin” dhe të tjerët do binin në gjurmët e misionit agjenturor”. Gjithsesi, dikur aktiviteti i tij shënoi epilogun e suksesshëm dhe Peter iu kthye aktivitetit normal në familjen e vet në Amsterdam. Ishte momenti kur ndërroi jetë Mao Ce Duni dhe filluan të perëndonin grupet maoiste në Perëndim. Që këtej Shqipëria e asaj periudhe të artë për të do të mbetej në vegimin e kujtimeve...
vijon nesër