Mësimi zhvillohet normalisht në Kosovë, njoftimi për ndërprerjen është i rremë

PRISHTINË, 6 tetor/ATSH/ Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës njoftoi se procesi mësimor zhvillohet normalisht më 6 tetor, duke përgënjeshtruar një njoftim që po qarkullon në rrjetet sociale se mësimi është ndërprerë.
Sipas Ministrisë, nuk është marrë asnjë vendim për ndërprerjen e mësimit dhe nxënësit e mësimdhënësit duhet t’i përmbahen orarit të rregullt.
“Njoftimi që po qarkullon në rrjetet sociale, ku pretendohet se më 6 tetor 2026 nuk do të zhvillohet procesi mësimor, është i rremë dhe nuk është publikuar nga Ministria”, thuhet në reagim.
Ministria tha se në materialin që po qarkullon, janë përdorur pa autorizim emri dhe logoja e institucionit, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një njoftim zyrtar.
Kjo vjen një ditë pasi protesta në Prishtinë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e protestuesve, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji, ndërsa pati të lënduar nga të dyja palët.
Protestuesit paralajmëruan se do të mblidhen sërish më 6 tetor në Prishtinë. /REL/