E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesjeta gjermane hap sezonin në Opera

Pas disa muajsh plogështie dhe heshtje, shto këtu edhe faktorët e stinës së nxehtë, por edhe problemet brenda institucionit, ka filluar të ndihet atmosferë pune në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Kanë nisur mbledhjet e rastit për të vendosur ca piketa e për të nisur përgatitjet për sezonin e ri operistik. Zyrtarisht sezoni pritet të nisë në ditët e para të muajit tetor dhe mendohet që të fillojë pikërisht me një vepër koreografike, e cila ka munguar gjatë gjithë sezonit të shkuar.

Bëhet fjalë për veprën “Carmina Burana”, një vepër koreografiko-vokale e kompozuar nga kompozitori gjerman Carl Orff. Shfaqja e kësaj vepre përkon dhe me Javën Gjermane të Kulturës, apo siç ka nisur të quhet “Tetori gjerman”.

“Carmina Burana” u kompozua nga Orff në vitet 1936-1937, frymëzuar nga 24 poema, të shkëputura nga një dorëshkrim mesjetar, i zbuluar në shek. XIX në një manastir në Bavari, që mban të njëjtin titull. Një vepër interesante, e vënë në skenat më të mëdha botërore.

Është parashikuar që shfaqja e kësaj vepre, e cila vjen premierë, të paraprihet nga një sërë koncertesh, që do të zhvillohen gjatë muajit shtator. Do të jetë kjo si një periudhë për të fituar kohë dhe për të sqaruar disa çështje që ende kanë mbetur pa u zgjidhur në të vetmin institucion operistik në vend. Ende nuk është “vulosur” çështja e reformës në këtë ndërmarrje gjigante, e cila mban peng disa struktura thelbësore në drejtimin e institucionit, siç është çështja e bordit, apo përzgjedhjes së drejtuesve. Një pikë kjo që ka çuar në përplasje TKOB-in dhe Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e cila ka hartuar edhe projektreformën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›