E Shtunë, 31 Tetor 2026

Messi, më i miri

Pele nuk ka dyshime. Legjenda braziliane thotë se Lionel Messi është aktualisht futbollisti më i mirë në botë dhe nuk sheh rival për argjentinasin e Barcelonës. Por, ai është optimist se talenti i ri i Santosit, sulmuesi Neymar pas disa vitesh mund të qëndrojë në kulm.

Legjenda braziliane Pele beson se Lionel Messi është pa dyshim aktualisht futbollisti më i mirë në botë, por ka shpresa të mëdha për yllin e Santosit, Neymar. Messi, 24 vjeç, është zgjedhur futbollisti më i mirë në botë dy vitet e fundit pas shkëlqimit për Barcelonën, ku së fundmi u ngjit në pozitën e dytë të golashënuesve më të mirë në histori të gjigantit nga Nou Camp. Dhe, Pele - i cili konsiderohet njëri prej futbollistëve më të mirë i të gjitha kohërave - “nuk ka dyshim” se ylli argjentinas për momentin qëndron i vetëm në kulmin e futbollit botëror.

“Sot nuk ka dyshim, Messi është futbollisti më i mirë”, tha Pele për ESPNsoccernet. “Nuk shoh ndonjë futbollist që është më i mirë”, shtoi ai. Derisa Argjentina mund të krenohet me Messin dhe Diego Maradonan duke i konsideruar si futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave, edhe Brazili ka kandidatët e tij, duke filluar me Pelen në krye të listës.

Ish sulmuesi i Santosit dhe New York Cosmos është entuziast për talentin më të ri të Brazilit, sulmuesin tinejxher Neymar. I pyetur nëse i riu mund të bëhet më i miri në botë, Pele tha: “Ndoshta Neymar është ende shumë i ri për të qenë më i miri. Messi qarkullon që disa vite, ndërsa Neymar ka depërtuar që një vit e gjysmë, dy vite. Megjithatë, nuk ka dyshim se Neymar është futbollist i shkëlqyeshëm, shumë i shkathtë, shumë i rrezikshëm, shumë inteligjent.

Atij i nevojitet më tepër përvojë, më tepër kohë. Neymar ka të ardhme të ndritur, por për të qenë më i miri, duhet të presin edhe paksa sepse ai sapo ka depërtuar ne skenë dhe tashmë ka parashikime të mëdha”. Për më tepër se një vit spekulohet se Neymar do të largohet nga Santos për t’u bërë tinejxheri më i shtrenjtë në histori të futbollit, ndërsa Barcelona dhe Real Madridi janë të gatshëm të paguajnë 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e tij.

Por, Pele - i cili ka këshilluar Neymarin - insiston se talenti i ri do të mbetet në Santos për pak më gjatë. “Pres që ai të mbetet më gjatë me Santosin. E pret një garë shumë e rëndësishme, Kampionati botëror i klubeve. Kjo do t’i ndihmojë shumë atij për të fituar përvojë dhe është shumë me rëndësi për të”, përfundoi Pele.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›