E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mallkimi i penalltive

Inter e ka nisur shumë dobët sezonin e ri në Serie A. Pas tetë xhirosh, Nerazzurrët gjenden në pozitën e 16-të, me vetëm 8 pikë. Por, gjiganti milanez ankohet dhe njëkohësisht lutet të mos vazhdojë mallkimi i penalltive të akorduara kundër tyre. Deri më tani janë dënuar me pesë.

Inter lutet që mallkimi i penalltive të mos e godasë sërish kur të takohet me liderin e Serie A, Juventusin të shtunën. Nerazzurrët kanë pësuar pesë penallti në tetë xhirot e para, e fundit në barazimin 1-1 në Atalanta të mërkurën.

Edhe pse portieri Luca Castellazi e priti penalltinë e akorduar në minutën e fundit të kohës së rregullt, trajneri Claudio Ranieri nuk ishte i kënaqur. “Ishte mjaft e diskutueshme dhe në fund u akordua nga anësori, në fakt është aq e debatueshme sa që gjyqtari kryesor nuk e sinjalizoi fillimisht”, tha Ranieri, ekipi i të cilit gjendet në pozitën e 16-të me vetëm tetë pikë.

“Ne duhet të nxjerrim veten nga kjo situatë, por duket se gjithçka është duke shkuar kundër nesh, fati, episodet individuale. Të shpresojmë që e tëra kjo të përfundojë sa më shpejt. Sigurisht se do të jetë në qendër të vëmendjes që kemi pasur pesë penallti të akorduara kundër nesh në tetë ndeshje. Dhe, asnjë prej tyre nuk ishte plotësisht i drejtë”, u shpreh ai.

Drejtori ekzekutiv i Interit, Ernesto Paolillo tha se “befasohem nga lehtësia e akordimit të penalltive kundër Interit, e që nuk akordohen aq lehtë në ndeshjet tjera”. “Kjo mbrëmje ishte shumë e dyshimtë, si të gjitha penalltitë e deritashme të akorduara kundër nesh. Si klub kemi respekt të madh për gjyqtarët dhe nuk do të ankohemi tek ata që i caktojnë gjyqtarët, por presidenti i Federatës duhet të reagojë si njeri kompetent ndaj paraqitjes së gjyqtarëve dhe asistentëve”, u shpreh ai.

Inter pa dyshim se nuk është në formën më të mirë, por skuadra duhet të jetë në nivel të shtunën kur të ndeshet me liderin aktual Juventus. Mbrojtësi i djathtë Maicon synon që skuadra të nisë ringjalljen pikërisht nga kjo ndeshje.

“Do të jetë vështirë kundër Juventusit. Por, do të japin maksimumin për të marrë tri pikë në mënyrë që të ngushtojmë disavantazhin me liderët”, tha ai. Pavarësisht barazimit, Maicon u shpreh i lumtur me paraqitjen e ekipit në barazimin 1-1 në Atalanta.

“Jam i lumtur si kemi luajtur kundër Atalantas, por duhet të përmirësohemi. Luajtëm me zemër dhe kështu do të kthejmë Interin sërish në krye të tabelës. Është mëkat që morëm vetëm një pikë. Tani duhet të kthejmë menjëherë vëmendjen tek e shtuna dhe Juventus”, u shpreh Maicon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›