Mësues, nxënës, prindër, trinomi i krizës së arsimit
Saba Lama / Specialist në zyrën Arsimore, Krujë
Mbarë opinioni pedagogjik po pranon se puna me nxënësit në shkolla për momentin është vështirësuar së tepërmi. Bëhet fjalë për fëmijët tanë, që presim për t’u bërë dikushi nesër kur të dalin në jetë. Dhe nga niveli i arsimimit që ato marrin do të përcaktohet edhe e ardhmja e kombit dhe e mbarë shoqërisë shqiptare. Tani lind pyetja nga vjen ky shqetësim që përjetohet? Mendoj se dominante në të gjitha shkollat është mungesa e duhur e rregullit dhe disiplinës për punën që bëhet. Në këtë drejtim po detajojmë disa aspekte që janë me evidente nisur nga vëzhgimet e bëra: 1. Një pjesë e mirë e mësuesve nuk tregojnë përkushtimin e duhur për punën e tyre si mësimdhënës dhe edukator. Kjo reflektohet në përgatitjen e përditshme ditore që bëjnë në punën me nxënësit, si në rrafshin shkencor ashtu edhe në atë metodik. Gjithashtu puna e tyre çalon edhe në marrëdhëniet antipedagogjike që ndërtojnë me nxënësit në aspektin e edukimit. 2. Strategjitë dhe politikat arsimore që përjetohen lidhur me detyrat që ka vetë nxënësi ndaj shkollës dhe mësimit nuk i shërbejnë si duhet edukimit te tij. Mendoj se në këtë aspekt po flitet vetëm për respektimin e të drejtave të nxënësit, ndërsa për detyrat e tij po heshtet. 3. Mësuesit të sotëm ende i mungon statusi për mbrojtjen e figurës dhe personalitetit të tij si mësimdhënës dhe edukator. Është kjo arsyeja që ai përjeton situata jo normale, madje edhe problematike në marrëdhënie me nxënës të veçantë apo me elementë tëtjerë të komunitetit ku ai punon, bie fjala prindër të nxënësve etj. 4. Edhe prindërit nuk po vlerësojnë sa duhet përgjegjësinë që kanë në pjesën që u takon, lidhur me mbarëvajtjen e fëmijëve të tyre në shkollë. Në këtë aspekt do të thosha se nuk ndjehet sa duhet bashkëpunimi prind-mësues në shkollë, tregues ky shumë i rëndësishëm për mbarëvajtjen e punës mësimore-edukative me nxënësit. Natyrisht përgjegjësi mbajnë edhe vetë mësuesit për të bërë përpjekjet e duhura për ti tërhequr prindërit në jetën e shkollës, ndonëse ky tregues ka qenë vazhdimisht në traditën pedagogjike të shkollës sonë. 5. Mendoj se në shkolla po i jepet më prioritet aktiviteteve dhe veprimtarive argëtuese se sa veprimtarisë mësimore me nxënësit. 6. Edhe inspektimi në shkolla nga institucionet eprore, nuk ndjehet sa duhet për punën që bëjnë mësuesit si mësimdhënës dhe edukator. 7. Së fundi mendoj se edhe sistemet e reja që përjeton arsimi ynë, në kuadrin e reformimeve që përjeton, si ai 5-vjeçar për ciklin e ulët ( që tani do të bëhet 6-vjeçar ) apo ai 4- vjeçar për ciklin e lartë, janë ende të parakohshme për kushtet që ka shkolla jonë. Në këtë drejtim do të përmendja edhe programet dhe tekstet alternative që përjetojnë nxënësit në aspektin e mësimdhënies. A mos vallë këto kanë nevojë për një studim në drejtim të përmbajtjes, për t’ju përshtatur më mirë moshës, nevojave dhe interesave të nxënësve në drejtim të formimit të tyre?