E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Mitrovicë ka ndodhur spastrim etnik

Glauk Konjufca/ Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

- Në natën ndërmjet 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në veriun e Mitrovicës u vrarë 10 shqiptarë. Ata janë: Muharrem (Ramë) Sokoli (51), Nezir (Hetem) Voca (61), Shqipe Voca (54), Selime (Omer) Berisha (60), Remzije Canhasi (56), Nderim (Nexhmedin) Ajeti (13), Sebaha (Arif) Abrashi (50), Nexhmije (Xhevdet) Xhaka (44), Bashkim (Brahim) Rrukeci (38)dhe Niman (Ibish) Sejdiu (52). Ata u vranë nga grupe të organizuara të strukturave kriminale të urdhëruara, të komënduara dhe të financuara nga Serbia, të cilat quheshin Rojat e Urës. Sipas dëshmitarëve okularë, këtyre bandave iu prinin këta persona: Oliver Ivanoviq-Ola, Dragan Delibashiq, Miodrag Raliq, Pagi Joviq, Zoran Dediq, Rela Martinoviq, Zoran Kostiq, Sasha Saviq-Ruski, Ivan Mandiq, Dragan Shilokoviq, Dushko Shilikoviq etj. Më pas, gjatë atij muaji nga pjesa veriore e Mitrovicës u dëbuan 1.564 familje shqiptare me gjithsej 11.364 anëtarë. Spastrimi i organizuar etnik i shqiptarëve kësaj radhe po ndodhte pas luftës çlirimtare dhe para syve të forcave ndërkombëtare civile dhe ushtarake. Teksa po ndodhte kjo plojë kundër shqiptarëve forcat e KFOR-it francez rrinin duarkryq dhe qëndronin spektatorë para këtij spastrimi të organizuar etnik. Sipas një raporti të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, para luftës 53% e banesave në veriun e Mitrovicës ishin prona të shqiptarëve. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë se sa ato serbe, atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishin shqiptarë. Por, një fushatë e egër përlot veprime kriminale nga strukturat e Serbisë të toleruara prej UNMIK-ut e ndryshuan këtë realitet radikalisht: sot në veriun e Mitrovicës jetojnë vetëm 4000 shqiptarë, pra më pak se 10% e banorëve në këtë anë. Vetëm pasi që Serbia ka spastruar etnikisht veriun e Mitrovicës, ajo po synon tash legalizimin e kësaj situate të krijuar nëpërmjet krimit. Planet e Serbisë janë të qarta: ata fillimisht kërkojnë autonomi territoriale për veriun e Kosovës, brenda kufijve aktualë të Kosovës. Serbia e ka për qëllim krijimin e një entiteti në veriun e Kosovës që do ta përfshinte një drejtësi, polici, shëndetësi dhe arsim të pavarur. Dhe, duke e bërë realitet ekzistencën dhe funksionimin e pavarur të këtij shteti serb brenda Republikës së Kosovës, e synon ndarjen përfundimtare të Kosovës pas disa vitesh, meqë do ta pamundësonte funksionimin unitar të shtetit të Kosovës. Shqiptarët e dëbuar nga veriu i Mitrovicës janë të detyruar t’i shesin pronat e tyre, që shpeshherë janë blerë nga pronarë prapa të cilëve qëndron Serbia. Sipas raportit nr. 1148 të KFOR-it, numri i pronave të shqiptarëve të blera prej qeverisë serbe është mbi 150. Në anën tjetër, pikërisht strukturat e Serbisë të cilat e spastruan veriun nga shqiptarët, janë ato që po e pengojnë sot kthimin e shqiptarëve nëpër pronat e tyre.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›