E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të gjithë në pushtet dhe pranë pushtetit

Dr. Magdalena Ramohito

Është një shprehje e vjetër latine: “mbrapa bujqve sedentarë fshihen ushtarët e armatosur”, që kuptohet lehtësisht se rëndësia e ushqimit të prodhuar në vend është kusht vendimtar për të siguruar vazhdimësinë e ekzistencës si komb. Këtë gjë e dinë mirë së pari profesorët e fushës së Bujqësisë dhe Ushqimit, të cilët kur futen në sqetullën e qeverisë, thonë të kundërtën, por e dinë mirë edhe vetë politikanët vetëm se ja vlen të ndalesh një sekondë, për të sqaruar për çfarë niveli politikanësh bëhet fjalë. Nëse flasim për këta politikanë afatshkurtër sigurisht që ‘pushtimi’ tregtar, nga vendet fqinje, pra përmbytja e tregut të vendit nga mallrat e importit, është kusht për mbajtjen e pushtetit të tyre sa më gjatë, por me t’u larguar prej tij lavdia e ëndërruar do të shkërmoqet në çast. Nuk besoj se shqiptarët nuk kanë memorie, përkundrazi ata nuk harrojnë kurrë. Pra harresa e shqiptarëve është më e dobët se memoria, përderisa urrejtja klasore është e fiksuar fortë në trurin e tyre dhe përdoret djallëzisht nga politika qysh pas përfundimit të Luftës së Dytë botërore duke thelluar dukurinë e ‘vëllavrasjes’ për të siguruar vijimësinë e ekzistencës së saj. Sigurisht që gjithkush e mban mend periudhën parazgjedhore të 2009-ës, kur Kryeministri në një studio televizive deklaroi se “nëse nuk do të arrij të fitoj numrat e duhur për të riqeverisur, atëherë ai nuk do ta çonte vendin në zgjedhje të reja, por do të marr prejtë majtës ekzistuese ‘gjysmën e pastër’”. Në këtë kohë krize, kur Shqipëria e ka humbur krejtësisht sovranitetin praktik dhe bëhet fjalë për mos pagim të rrogëtarëve nga qeveria, komentet e grykësve politikë duken më se qesharake. Të mos gabohen politikanët nga sondazhet, sepse ato mund të rezultojnë të gabuara, pasi në këtë qeverisje katër vjeçare frika për bukën e gojës ka bërë që njeriu të thotë në intervistë jo atë që mendon në të vërtetë. Militantët, qoftë të majtët qoftë të djathtët e dinë mirë që janë përdorur si ushqim për politikën 20 vjet rresht, madje i dinë gjërat edhe më mirë sesa mund të besohet nga politikanët, sepse shohin që militantë të djathtë janë punësuar pranë partive të tjera dhe anasjelltas. Madje edhe familjarë të eksponentëve të PS-së janë prezentë në tavat e pushtetit, kështu që përballë gjithë këtij ushqimi të ofruar nga të katër anët, ata që kanë mbetur me ‘lugë të thyer’ janë pikërisht militantët idealistë dhe një pakicë njerëzish kurajozë që duan të rrojnë me punë të ndershme. E këtë ua ka mohuar arbitrarisht Sali Berisha me qeverinë e vet. Nëse ka një vullnet nga ndonjë forcë politike në këtë vend për të siguruar ‘sovranitetin e ushqimit’ ku secili të japë kontributin e vet në shoqëri sipas rregullave, normave e ligjeve të një shoqërie normale, le ta përdorë forcën e uraganit popull, për të bërë ndryshimin e shumëpritur nga shqiptarët e kryesisht nga ata jashtë atdheut


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›