Mësuesi: Ishte metaforë shprehja Berisha do plumb ballit, por se them më se ai të vret natën e të qan ditën
Njeriu që trembi kryeministrin Sali Berisha dhe u mor seriozisht nga selia e PD-së, është një mësues nga Klosi i Matit. Gjatë një takimi elektoral në Klos, do të deklaronte se Berisha e do plumbin ballit.
Deklarata solli reagimin e ashpër të Partisë Demokratike, e cila akuzoi kryetarin Edi Rama për nxitje të dhunës. Por, duket se shqetësimi i madh i PD-së, nuk ka qenë i tillë për institucionet e tjera të sigurisë.
Policia dhe SHISH nuk e kanë marrë mundimin ta verifikonin, ta gjenin personin e rrezikshëm për jetën e kreut të qeverisë.
Ai quhet Isuf Çipi. Në të kaluarën, ka qenë eksponent i Partisë Demokratike, kryetar i Bashkisë Klos. Është me profesion mësues. Ai shprehet se gjithçka ka qenë metaforike dhe jo në kuptimin që e ka marrë selia e PD-së.
Ndonëse ka qenë pjesë e kësaj partie për shumë vite, Isuf Çipi shprehet për Shekullin i zhgënjyer me qeverisjen e mazhorancës gjatë këtyre 8 viteve.
Kjo ka qenë metaforike. Kuptohet që vrasja ka qenë me kuptimin që vrasja për Sali Berishën do të jetë vota kundër. Jo për vrasje tamam, sepse ai është edhe me antiplumb dhe nuk e vret dot, është shprehur ai.
Sipas tij: Kjo ka qenë thjesht një shaka dhe vrasja është me votë. Është Berisha ai që i ka vrarë shqiptarët, ne skemi vrarë njeri. Unë madje kam djalin invalid nga Berisha, siç janë edhe shumë shqiptarët të tjerë. Në vitin 1997 kur u hapën depot e ushtrisë, djali mbeti invalid.
I pyetur nëse do i thotë këto kur të vijë kryeministri Berisha në zonën e tij, ai shprehet se: Unë Berishës nuk i them, se ajo dihet që Sali Berisha të vret natën dhe të qan ditën. Por edhe për tu trembur, trembem./A.Xh