Një dorë drejt integrimit
Ai ka lënë pas krahëve një veprimtari të rëndësishme siç është Salloni Ndërkombëtar i Librit të Torinos, që u zhvillua në Itali vetëm pak ditë më parë dhe ka mbërritur në Shqipëri për një tjetër veprimtari kushtuar librit. Marco Pautasso, një ndër organizatorët e këtij aktiviteti, të cilin në edicionin e 23 u fitua nga shkrimtari i njohur Amos Oz, ka mbërritur në Shqipëri për t’u bërë pjesë e Sallonit të Librit Italo-Shqiptar që u çel dje pasdite në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Me vete ai ka sjellë një pjesë të konsiderueshme të librave italianë, që do të ekspozohen në këtë sallon. “Kemi zgjedhur krijimet më të mira në prozë dhe esetë italiane, duke kërkuar të jemi sa më gjithëpërfshirës. Gjithsej janë 2500 libra, që përfshijnë klasikët e letërsisë italiane, letërsinë për fëmijë, të kuzhinës, fjalorë etj. Do të gjenden për lexuesit shqiptarë, shkrimtarë si Dante, Petrarka, Bokaçio, por edhe literatura e 1900-s me Svevon, Pazolinin, Pavezen, si dhe vëllime që rrëfejnë historinë e Italisë dhe historinë kulturore të vendit tonë, duke qenë se pikërisht arti është një prej pikave tona më të rëndësishme. Me pak fjalë, jemi munduar të sjellim pak nga më e mira e kulturës dhe gjuhës italiane”, thotë Pautasso, për të cilin klasikët e letërsisë janë të pazëvendësueshëm në formimin e një të riu. E megjithatë, kjo prani nuk përjashton autorët bashkëkohorë, të cilët kanë gjithashtu rëndësinë e tyre në letërsi. Ndër të tjera, pjesë e rëndësishme e kësaj ekspozeje të librave në gjuhën italiane do të jenë edhe librat e autorëve shqiptarë që shkruajnë në gjuhën italiane, duke filluar nga Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Ron Kubati etj., të cilët janë mjaft të vlerësuar nga lexuesi dhe kritika italiane. “Ajo që të habit te këta autorë është përdorimi i gjuhës italiane me mjaft efikasitet dhe origjinalitet në të shkruar, edhe pse në të vërtetë kjo nuk është për ta gjuha e nënës. Librat e tyre, ndër të tjera, janë botuar prej shtëpive botuese mjaft prestigjioze në Itali”, komenton më tej ai. Sipas Marco Pautasso-s, “këta autorë shqiptarë sjellin një mënyrë të treguari të një vendi që ne nuk e njohim, ose e njohim përmes stereotipave, por ajo që bën përshtypje mbi të gjitha është përdorimi mjaft origjinal i gjuhës italiane”. “Vë re se gjuha italiane është e kërkuar në thellësi dhe në aspektet leksikore më të vështira dhe kjo dëshmon se kemi të bëjmë me një talent të madh”, vijon më tej organizatori i Sallonit të Librit të Torinos.
Në analizën e shkurtër që ai ka bërë për këta autorë shqiptarë që kanë zgjedhur të shprehen në gjuhë të huaj, ai thotë se fillimisht ka ndodhur që lexuesi i afrohet me një lloj kureshtjeje, por edhe me skepticizëm mbi atë që do të kenë shkruar, e pasi e kanë lexuar kanë kuptuar se kanë pasur të bëjnë me zbulime të reja. Sipas tij, tashmë kur publikohet një libër nga një autor shqiptar nuk thuhet më se kush e di çfarë do të jetë, por shihet me kuriozitet, nëse do të ketë një tjetër zbulim. “Në Itali, kohët e fundit, ka shpërthyer fenomeni i shkrimtarëve emigrantë dhe ata nuk janë vetëm shqiptarë, por vijnë edhe nga vende si Rusia, Afrika etj., dhe janë duke u pritur mirë prej lexuesit. Këta shkrimtarë kanë një detyrë të rëndësishme në këtë udhë të integrimit, sepse letërsia është një instrument thelbësor. Unë nuk dua të them se pa Anilda Ibrahimin dhe Vorpsion nuk do ta kishim kuptuar Shqipërinë, por kontributi i tyre për të përcaktuar më mirë vendin e shqiponjave, problemet dhe historitë e emigrimit që nuk njihen asnjëherë thellësisht, janë shumë të rëndësishme në këtë rrugëtim drejt integrimit”, thotë ai. Salloni i Librit Italo-Shqiptar, ku do të marrin pjesë edhe shtëpitë botuese nga Shqipëria me përkthimet e tyre në shqip të autorëve italianë, do të vijojë sot paradite me një takim, tema e të cilit është “Letërsia e integrimit, letërsia e emigrimit italofon”. Do të referojnë shkrimtarja Diana çuli, Mia Lecomte, poeteshë dhe studiuese e letërsisë së migrimit, profesoresha e letërsisë Dhurata Sheri, Livio Muçi, drejtuesi i shtëpisë botuese “Besa”, profesoresha Viola Adhami, poeti dhe përkthyesi Arben Dedja, Amik Kasorho, shkrimtar e përkthyes, shkrimtarja italiane Chiara Carminati, shkrimtari i njohur italian Raffaele Nigro, ilustruesja italiane Eva Montanari dhe shkrimtarët Valbona Jakova e Sokol Jakova. Nesër, një prej takimeve të rëndësishme të kësaj veprimtarie kushtuar librit do të jetë ai me shkrimtarin arbëresh Carmine Abate. Takimi i vetëm gjatë ditës së fundit të Sallonit të Librit Italo-Shqiptar do të jetë ai me shkrimtarin e njohur italian Raffaele Nigro. Kjo veprimtari ishte parashikuar të niste më 23 prill, Ditën Botërore të Librit, por u shty me anulimin e fluturimeve ajrore, për shkak të resë vullkanike. Aktiviteti organizohet në kuadrin e eventit “Shqipër-Itali, dy popuj një det, një miqësi”, me mbështetjen Salone del Libro di Torino, si edhe Fakultetit të Historisë e Filologjisë - Departamenti i Letërsisë.
#