Mësuesit i dërgojnë peticion Ministrisë së Arsimit: Nuk bëjmë master në pleqëri
Mësuesit e ciklit fillor nuk pranojnë të zbatojnë urdhrin e ministrit të Arsimit, për të ndjekur studimet e ciklit të dytë. Rreth 70 arsimtarë kanë firmosur një peticion, drejtuar ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, ku kundërshtojnë urdhrin e tij për të ndjekur studime për master shkencor.
Kërkesat e tyre janë të pavend, fillimisht na dënuan se nuk njohim mirë gjuhën shqipe, konkretisht gramatikën e saj, ndërsa tani na kërkojnë të zotërojmë diplomën e masterit shkencor. Unë personalisht gjykoj se e njoh shumë mirë gjuhën shqipe, ndërsa studimet për master shkencor nuk i ndjek dot, sepse nuk kam para për të paguar tarifën vjetore, shumë lekësh që për rrogën time është më shumë sesa e kushtueshme, pa përmendur edhe kohën fizike. Unë jam 45 vjeç, më duhet tu jap mësim nxënësve të klasave I-VI çdo ditë, pas kësaj duhet të kujdesem për familjen time, bashkëshortin dhe dy fëmijët. Edhe sikur të kisha para, nuk kam kohë fizike për tiu nënshtruar studimeve, sqaron Mirela, mësuese në një shkollë 9-vjeçare në Tiranë.
Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe mësuesit e tjerë, duke e konsideruar urdhrin si fyes.
Smë duket aspak i drejtë vendimi i ministrit të Arsimit, që parashikon si kusht për të zhvilluar provimin e shtetit, diplomën e masterit shkencor. Në fund të fundit, ne kemi kryer studimet në fushën e arsimit, për të qenë mësues, jo pedagogë. Këto spo bëjnë dallime. Pse u dashka që unë të bëj gjithë këto shpenzime kur paga ime nuk rritet, ku paga ime është as gjysma e rrogës së një pedagogu që gjithashtu zotëron diplomën e masterit shkencor. Diskutojmë mes kolegësh për qëllimin e këtij vendimi dhe mendojmë se qëllimi parësor është përfitimi financiar, pohon ndër të tjera Petriti për gazetën Shqip.
Sipas tyre, ministri i Arsimit i ka gati emrat që do të futen në listën e emërimeve për mësues dhe po kërkon pretekst për të larguar mësuesit veteranë./A.XH