Shefi i UNHCR në Tiranë: 210 muxhahedinët do mësojnë gjuhën shqipe
Ndërsa opinioni publik kërkon të mësojë diçka më shumë për muxhahedinët iranianë që kanë nisur të vijnë në Shqipëri, autoritetet janë treguar hermetike.
Irani ka paralajmëruar se këta muxhahedinë, që janë edhe opozita e regjimit aktual në atë vend, mund të jenë të rrezikshëm për sigurinë e Shqipërisë.
Më përpara ata kanë qenë të vendosur në Irak, ku janë bërë pre e sulmeve të vazhdueshme.
Ndërkohë në Shqipëri ata ruhen me masa sigurie të larta.
Hortens Balla, shefi i organizatës që merret me refugjatët pranë OKB, thotë se ata do mësojnë gjuhën shqipe.
Duke folur për GSH, shefi i UNHCR thotë se këto kurse do ofrohen nga ata, kurse qeveria mbulon pjesën e akomodimit dhe ushqimin.
Ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për të dhënë ndihmë, sa i takon strehimit të tyre. Megjithatë UNHCR-ja ka disa vendime procedurale të vetat, kështu që kjo ndihmë do të jepet hap pas hapi; nuk mund të thuhet që kjo ndihmë do të jepet tani dhe për x kohë. Do jepet ndihmë për strehimin e tyre përmes partnerëve tanë dhe do ndihmojmë këta persona për tu integruar më mirë: kurse gjuhe dhe kurse personale, tha Balla.
Se sa kohë do qëndrojnë muxhahedinët në Shqipëri, kjo nuk dihet e as nuk thuhet. Në të vërtetë në kampin irakian janë mbi 3 mijë muxhahedinë, të cilët kërkojnë që të vijnë në Shqipëri të gjithë. Por deri më tani qeveria shqiptare ka pranuar vetëm 210./ep