E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH për liritë fetare: Censusi nuk reflekton numrin e ortodoksëve grekë

Foto ilustruese- faqe 7Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e përvitshëm në lidhje me liritë fetare në botë.

Në pjesën për Shqipërisë, citohen të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2011.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, popullsia përbëhet nga 2.8 milionë banorë. Është e vështirë të vlerësohen përmasat e grupeve fetare sepse afro 20 përqind e të intervistuarve refuzuan ti përgjigjeshin pyetjeve opsionale të regjistrimit mbi përkatësinë fetare. Një numër udhëheqësish fetarë i sfiduan rezultatet e regjistrimit. Sipas regjistrimit, myslimanët sunitë përbëjnë afro 57 përqind të popullsisë, katolikët romanë 10 përqind, të krishterët ortodoksë (Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë) afro 7 përqind, dhe bektashinjtë (një formë e sufizmit shiit) 2 përqind. Grupe të tjera përfshijnë Bahait, Dëshmitarët e Jehovait, Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditës së Shtatë (mormonët). Komiteti Shtetëror për Kultet raporton mbi 230 grupe, organizata, fondacione, dhe institucione fetare që kryejnë aktivitetin e tyre në vend, thuhet në raport.

Më pas theksohet se sidomos pjesa e pakicës greke ka bojkotuar regjistrimin, çka do thotë se të dhënat e censusit nuk reflektojnë realitetin.

Një numër udhëheqësish fetarë sfiduan rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, duke pretenduar që zyrtarët e regjistrimit nuk kishin vizituar kurrë një numër të madh të besimtarëve të tyre. Gjithashtu, çoroditja lidhur me pasojat e vetë-identifikimit etnik dhe fetar mund të ketë bërë që shumë të intervistuar të mos e identifikonin përkatësinë e tyre fetare. Për shembull, grupet e pakicës etnike greke nxitën anëtarët e tyre ta bojkotonin regjistrimin, çka ndikonte në matjen e pakicës etnike greke dhe të Kishës Ortodokse Greke, vijon raporti.

DASH thotë se nuk ka pasur raportime për abuzime të lirisë së fesë.

Ndërkohë problem shqetësues mbetet çështja e pronave të komuniteteve fetare.

Qeveria vazhdoi të trajtonte pretendimet nga grupet fetare lidhur me kthimin ose kompensimin e pronave të konfiskuara gjatë kohës së komunizmit; megjithatë, shumë pretendime pronësore mbetën të pazgjidhura. Pas arritjes së marrëveshjeve dypalëshe në vitin 2008 midis qeverisë dhe komuniteteve myslimane, ortodokse, dhe bektashiane, qeveria udhëzoi Agjencinë Shtetërore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave që ti jepte përparësi pronave të zotëruara nga grupet fetare. Megjithatë, sfidat administrative dhe ligjore të lidhura me pretendimet pronësore në përgjithësi e bënin kthimin e pronave të vështirë për individët dhe organizatat, përfshi grupet fetare, dhe përparimi ishte i ngadaltë. Për shembull, procedurat e ngecura administrative vazhduan ta pengonin komunitetin bektashian nga rimarrja e pronave në Ksamil, prona të cilat një gjykatë ia kishte kthyer në vitin 2009./ep 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›