E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta-Alassad: Të thellojmë bashkëpunimin

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimin e tyre të mëtejshëm, për çka u ra dakord të përshpejtohet plotësimi i kuadrit ligjor të këtyre marrëdhënieve me realizimin dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve, heqjen e taksimit të dyfishtë, në fushën e turizmit, bashkëpunimit ekonomik, tregtar dhe teknik, si dhe zhvillimin e konsultimeve diplomatike mes ministrive të punëve të jashtme të dy vendeve.

Të dy bashkëbiseduesit cilësuan se Unioni për Mesdheun, Aleanca e Qytetërimeve, Organizata e Vendeve Islamike dhe veçanërisht Organizata e Kombeve të Bashkuara janë institucione ku palët mund të rrisin nivelin e bashkëpunimit, të njohjes reciproke dhe qëndrimeve të përbashkëta në interes të paqes dhe stabilitetit të dy rajoneve fqinje, por edhe asaj globale.

Gjatë bisedës ministri Meta në mënyrë të veçantë u përqendrua mbi çështjen e Kosovës, duke theksuar se opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili e cilësoi shpalljen e pavarësisë si një akt që nuk bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare.

Pasi e vlerësoi Kosovën si një realitet të pakthyeshëm dhe legjitim, i cili në të ardhmen do të zërë vendin e merituar në organizatat ndërkombëtare, Meta i kërkoi Presidentit Alassad që Siria të rivlerësojë qëndrimin e saj mbi këtë çështje.

Presidenti Alassad nga ana e tij vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe politikën e saj të jashtme të hapjes dhe intensifikimit të marrëdhënieve më të gjitha vendet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›