E Martë, 3 Nëntor 2026

Samiti i Berlinit dhe vizita e Makron në Tiranë, Rama takohet me Presidentin Begaj

Kryeministri Edi Rama është takuar me Presidentin Bajram Begaj në lidhje me Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë më 16 tetor.

Po ashtu, në fokus të bisedës mes tyre, ka qenë dhe vizita e Presidentit të Francës Emanuel Makron (Emmanuel Macron) në Tiranë, si e para vizitë bilaterale e një kreu të shtetit francez në historinë e shtetit shqiptar.

“Me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për temat e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë dhe vizitën e Presidentit të Republikës së Francës, Emanuel Macron, e para vizitë bilaterale e një kreu të shtetit francez në historinë e shtetit shqiptar”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook teksa publikon foto nga takimi me Begajn.

Kryeministri ka bërë me dije më herët se ky aktivitet zhvillohet për herë të parë në Tiranë, jashtë kufijve të Bashkimit Evropian “me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, ku kanë konfirmuar pjesëmarrjen Presidenti i Francës dhe Kancelari i Gjermanisë, Presidentja e Komisionit Europian, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian”.

Samiti i Procesit të Berlinit do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe dhënien e ndihmës për integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian. Procesi i Berlinit u prezantua në 28 gusht 2014 nga kancelarja gjermane Angela Merkel.   /rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›