E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Do marrim të paktën nga një mandat në çdo qark të vendit

metaKryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta shpreh bindjen se forca e tij politike do të arrijë të marrë nga një mandat deputeti në çdo qark të vendit. Këto deklarata Meta i bëri gjatë një takimi me mbështetës të LSI-së në njësinë bashkiake numër 9 në kryeqytet.
Deklarata
Gjatë fjalës së tij, Meta vlerësoi kontributin e dhënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim në liberalizimin e vizave dhe miratimin e tri ligjeve. Ne e filluam në këto katër vite angazhimin tonë me kontributin e jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave dhe e përfunduam dy javë më parë duke arritur që me këmbëngulje, urtësi dhe mençuri, të bënim atë që nuk pritej, të miratoheshin tre ligjet që do ta afrojnë Shqipërinë me Bashkimin Evropian dhe do të japin statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti. Në këtë mënyrë do të përfitohen më shumë ndihma financiare dhe më shumë projekte për zhvillimin e vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës, tha Ilir Meta.
Rezultati
Meta e cilësoi si të sigurt fitoren e së majtës në zgjedhjet e 23 qershorit, ndërsa tha se për LSI-në këto zgjedhje do të dhurojnë një rezultat surprizë. Unë besoj se Shqipëria e ka marrë vendimin e saj për të bërë një ndryshim të rëndësishëm. Roli i LSI-së është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe përcaktues, suksesi ynë do të jetë i jashtëzakonshëm. Nuk ka qark në Shqipëri ku Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e merr të paktën një mandat, ndërkohë në Berat, në Fier, në Durrës, në Elbasan ne luftojmë për të pasur të sigurta nga 2 mandate. Ndërsa lufta më e madhe është në Qarkun e Tiranës, ku jam i bindur se do të jetë një rezultat i jashtëzakonshëm dhe për këtë jam i bindur që edhe njësia 9 do të kontribuojë fuqishëm, u shpreh Meta. Në përfundim, Meta i ftoi të gjithë që të votojnë në 23 qershor për LSI-në, duke e cilësuar votën për këtë forcë politike si një votë të mençur.

Haxhinasto: Prioritet i LSI, mbështetja për shtresat në nevojë
Kandidati për deputetë i LSI-së në qarkun e Elbasanit, Edmond Haxhinasto zhvilloi një takim me nënat kryefamiljare dhe fëmijët jetim në Elbasan. Në fjalën e tij, Haxhinasto u ndal tek disa nga problemet që hasin këto shtresa në nevojë të shoqërisë, për shkak të ligjit aktual. “Ndryshimet ligjore për çështjen e statusit, që statusi jetim ti jepet dhe fëmijës me një prind apo edhe çështja e përfitimeve nga bonuset e ndryshme për energjinë dhe për shërbimet e tjera jetike si uji”, tha Haxhinasto. Në vijim, Haxhinasto tha se përkujdesja ndaj gruas është një nga prioritetet kryesore në programin e LSI-së. “Ne si LSI i kemi prioritare shërbimet dhe mbështetjet për shtresat në nevojë. Duke qenë se ju këtu jeni shumica gra, ne në programin tonë ofrojmë një mbështetje të veçantë për gruan, veçanërisht për gruan e cila është kryefamiljare, që ka përgjegjësi më të mëdha për të rritur fëmijët për të mbajtur familjen”, u shpreh Haxhinasto. Në përfundim, Edmond Haxhinasto ftoj pjesëmarrësit të votojnë nr 26 në 23 qershor, sipas tij për ta vënë Shqipërinë në rrugën e ndryshimit, në rrugën e punës, për ta vënë shoqërinë shqiptare në rrugën e përkujdesjes më të madhe për të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht atyre që kanë më shumë nevojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›