E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Dua vetëm 2 minuta për të transmetuar në video dhe në audio te pergjimit te Rames”

19/01/2012  Kreu i LSI-së, Meta, kërcënon kryesocialistin Rama me videopërgjim

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, një ditë pasi e akuzoi kreun e opozitës si orkestrues të videopërgjimit ndaj tij, deklaroi se disponon një video për të transmetuar, protagonist i së cilës është vetë Rama. Gjatë një prononcimi për mediet Meta e ftoi kryesocialistin në një ballafaqim televiziv.

Presioni

Prokuroria shqiptare duket se do të përballet me një tjetër hetim videopërgjimi së shpejti pas asaj të Ilir Metës. Ky i fundit njoftoi dje se avokati i tij, Spartak Braho, disponon një videopërgjimi me protagonist kreun të PS-së Edi Rama, për të cilën po përpiqet të njoftojë edhe kryeprokuroren Rama. “Unë nuk kam, por avokati i madh, zoti Braho, ka diçka që ishte tepër pozitive për hir të transparencës që e ka Edi si kërkesë, si nevojë, si apel. Z. Braho ka ditë që kërkon edhe znj. Ina Rama që ta ndihmojë në këtë drejtim, që nga çasti kur mbaroi procesi ndaj z. Meta”, - deklaroi kreu i LSI-së. Në këtë përgjigje ndaj interesit të gazetarëve Meta nuk tha se për çfarë bëhet fjalë në video, por nga prononcimi i tij i mësipërm duket se ajo bën fjalë për korruptim të organeve të drejtësisë. “Unë dua vetëm 2 minuta kohë për të transmetuar diçka në video dhe në audio, meqenëse Edi na futi videopolitikën në politikën shqiptare, për të parë të gjithë se vërtet kush ndërhyn te prokuroria për të pushuar çështjet e korrupsionit, kush ndërhyn te gjyqtarët për qëllime politike dhe për të mos e luftuar vërtet korrupsionin”, - tha numri një i LSI-së. Duke ironizuar kërkesën e kreut të PS-së për transparencë, Meta e ftoi atë për një ballafaqim publik. “Në qoftë se Edi do vërtet transparencë lidhur me atë që ai quan ‘vdekja e drejtësisë’, unë e ftoj që duke filluar nga sot dhe kur të dëshirojë në emisioni “Fiks Fare” të dalë para shqiptarëve dhe të paraqesë prova për kapjen që mund t’i jetë bërë gjykatës, prokurorisë nga Kryeministri apo nga unë”, - sfidoi ish zv.kryeministri me ftesën e hapur.

Vendimi i gjykatës

Qëndrimi i kryesisë së PS-së për të tallur drejtësinë shqiptare pas vendimit të fundit për kreun e LSI-së është shpërfillur nga ky i fundit. Por ai ka komentuar zgjedhjen e Ramës për të përdorur të rinjtë në ceremoni të tilla, duke e quajtur kreun e socialistëve sipërmarrës funeralesh. “E kuptoj shqetësimin e biznesmenit më të ri në sipërmarrjet funerale në Shqipëri, Edit tonë të dashur, i cili përzgjedh në këto ceremoni mortore disa të rinj”, - deklaroi Meta.

Meta: Braho prokuror

Në prononcimin e tij të djeshëm Meta lançoi avokatin e vet Spartak Braho si kandidat për prokuror. Këtë ai e bëri në përgjigjen e tij lidhur me pasjen ose jo të një videopërgjimi me protagonist Ramën. “Avokati i madh dhe prokurori i përhershëm, pavarësisht se është në detyrë apo në pritje, z. Braho, ka diçka që ishte tepër pozitive për hir të transparencës. Z. Braho si prokuror i përhershëm dhe që nuk ka nevojë të paguhet si prokuror, ka ditë që kërkon edhe znj. Ina Rama që ta ndihmojë në këtë drejtim”, - deklaroi Meta.

Një vit më parë

Akuzat ndaj zv.kryeministrit deri në pafajësi

E supozuara aferë korruptive ndërmjet zëvendëskryeminsitrit Ilir Meta dhe ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti është bërë publike rreth një vit më parë me anë të shfaqjes së një videopërgjimi nga emisioni televiziv “Fiks Fare”. Videoja tregonte takimin e zhvilluar më datën 1 mars të vitit 2010 në zyrën e ministrit të Ekonomisë së asaj kohe, Dritan Priftit, ku në një bisedë jo shumë miqësore dhe të tensionuar, e cila ka zgjatur për shtatë minuta, Meta i kërkon llogari Priftit pse nuk i kishte kryer porositë e lëna, teksa biseda zhvillohet për dhënien e një licence të një hidrocentrali, përmes së cilës do të përfitonin pagesën për vlerën e koncesionit e saktësuar në 700 mijë euro. Pas shfaqjes së videos Meta jep dorëheqjen si zv.kryeministër e ministër i Ekonomisë dhe i nënshtrohet betejës ligjore për akuzat e ngritura, akuza të cilat janë shuar dy ditë më parë me nxjerrjen e vendimit nga Gjykata e Lartë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›