Meta: Gjithmonë kemi marrë vendimet më të drejta
Ilir Meta ka qenë i pranishëm në Koplik, ku ka mbajtur një takim me simpatizantët e LSI-së. Gjatë takimit me ta, Meta ka thënë se vendimi për tu bashkuar me PS-në, ka qenë i drejtë.
Ne jemi të bindur se në çdo kohë kemi marrë vendimet më të drejta që i kanë shërbyer vendit. Edhe vendimi më i fundit është një vendim plotësisht i drejtë, i cili do të ndihmojë vendin për të shënuar një fazë të re të demokracisë, të funksionimit të institucioneve, të rivendosjes së ekuilibrave politikë dhe të balancimit midis pushteteve që garantojnë një demokraci më të shëndetshme dhe më funksionale, që garantojnë një frymëmarrje më të gjerë edhe ekonomike dhe një përkujdesje sociale e cila do të ndihmojë akoma më shumë qytetarët tanë që hasin probleme më të madhe sot. Shqipëria ka nevojë të eci më shpejt. Malësia e Madhe ka nevojë të eci më shpejt dhe kërkon ritmin e shokëve dhe djemve si Ritvan Heba të cilat janë të kudogjendur, të cilët janë pranë njerëzve dhe në shërbim të tyre, tha Meta.
Meta tha se 23 qershori po vjen dhe është një ditë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Lëvizja Socialiste për Integrim është konfirmuar si një forcë bashkëpunuese, si një forcë e motivuar fuqimisht nga interesi për ti shërbye stabilitetit të vendit, integrimit evropian, realizimit të reformave, të cilat të gjitha së bashku synojnë standarde të reja të demokracisë dhe mbi të gjitha të mirëqenies dhe të jetës së qytetarëve tanë, u shpreh ai.