E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Komision për reformën zgjedhore

Gjatë një konference për media, Meta u shpreh se duhet të ngrihet menjëherë një komision parlamentar për këtë qëllim si dhe të miratohen të gjitha ligjet me shumicë të cilësuar, të cilat do sillnin një vlerësim pozitiv për Shqipërinë, për statusin e vendit kandidat në BE.

"LSI bën apel për angazhimin e të gjitha forcave politike për realizimin e një pakti kombëtar për integrim, që del jashtë kornizave politike dhe partiake, me qëllim arritjen e një momenti pozitiv gjatë dy muajve të ardhshëm, që me fillimin e sesionit të ri parlamentar në shtator të ngrihet menjëherë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore, si dhe të miratohet paketa prej 16 ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar", u shpreh Meta.

I pyetur për ndryshimet kushtetuese, ai tha se ky proces kërkon një konsensus shumë më të gjerë se sa vullneti i forcave politike; ai kërkon transparencë dhe gjithpërfshirje, jo vetëm të klasës politike dhe shoqërisë civile, por dhe të faktorit ndërkombëtar.   "Ndryshimet kushtetuese të para disa viteve u bënë me një nxitim të pajustifikuar dhe në mungesë transparence. Ne jemi për realizimin e ndryshimeve të duhura në kushtetutë, por ky është një proces që kërkon një konsensus shumë më të gjerë se sa vullneti ynë; ai kërkon një kohë të gjatë, transparencë e gjithpërfshirje, jo vetëm të faktorëve të brendshëm, por të institucioneve ndërkombëtare", tha Meta. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-08-22 13:46
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›