Meta: Komisionerët e LSI-së do të jenë garant për mbrojtjen e votës së çdo shqiptari
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka marrë pjesë në një takim në qytetin e Burrelit, takim në të cilin është prezantuar edhe ekipi i kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër.
Tani erdhi ora që ajo përkrahje që ju i keni dhënë LSI-së këto 8 vite, ato sakrifica që ju keni bërë për këtë alternativë të shpërblehen si asnjëherë tjetër me fitoren tonë spektakolare në Dibër dhe në të gjithë Shqipërinë më 23 qershor. Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë komisionerët e saj, do të ketë numëruesit e saj, do të ketë përfaqësuesit e saj në të gjitha KZAZ-të. Jo vetëm që do të mbrojë dhe do të garantojë votat për LSI-në por votën që do të hedhë çdo qytetar shqiptar ashtu siç i do zemra e tij. Jam i bindur se shumica e zemrave të matjanëve dhe të gjithë shqiptarëve rrahin për rrotacionin, rrahin për ndryshimin dhe duan që të ecin më shpejt, tha ai.
Lideri i LSI-së u shpreh se LSI vjen në këto zgjedhje me kontribute të spikatura për integrimin dhe për stabilitetin e vendit. LSI dha një kontribut të jashtëzakonshëm për liberalizimin e vizave. Ishte përsëri LSI-ja që me urtësi, me mençuri dhe me këmbëngulje imponoi mbledhjen e Parlamentit dy javë më parë në kulmin e fushatës elektorale në mënyrë që të votoheshin tre ligjet, tha ai.
Duke prezantuar ekipin e kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun e Dibrës Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deklaroi se ky ekip do të bëjë të mundur një triumf të vërtetë të LSI-së në Dibër. Unë jam shumë krenar si edhe ju për kandidatët tanë matjanë për Qarkun e Dibrës. Jam shumë krenar për Agim Hysën, këtë inxhinier të zotin dhe këtë drejtues të shkëlqyer që është një shok i jashtëzakonshëm. Unë jam shumë krenar edhe për Lutfije Metën, vijoi z. Meta.
Duke përfunduar fjalën e tij në takimin e zhvilluar në Burrel z. Meta tha se mezi po presim datën 23 qershor, ne na duken ditët dhe netët shumë të shkurtra, sepse mezi po presim të arrijmë në finishin e fitores”.
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në Qarkun Dibër, Përparim Spahiu, deklaroi se LSI ka një plan konkret për zhvillimin e Matit dhe të Dibrës. Programi që LSI ka paraqitur për punësim është shkruar duke marrë parasysh Matin dhe Dibrën. Nuk duhet të harrojmë industrinë minerare që përbën një degë jetike për zonën dhe për të gjithë vendin. Do ti kushtojmë gjithë vëmendjen e duhur edhe rihapjes së Uzinës së Ferrokromit dhe fabrikave të pasurimit të kromit sepse ne nuk mund të vazhdojmë ta shesim këtë pasuri për një copë bukë dhe të punësojmë të huajt duke lënë matjanët dhe dibranët pa punë.