E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Konsensus që vota të jetë e barabartë, presidenti i ri të jetë simbol i unitetit”

09-04-2012 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së u kthehet temave të politikës së ditës në konventën Zgjedhore të Lëvizjes së Gruas për Integrim të Durrësit  

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka deklaruar nga Durrësi se është kundër sistemit të ashtuquajtur spanjoll në këtë fazë të përgatitjes së reformës zgjedhore. Meta ka shfrytëzuar prezencën e tij në Konventën e Gruas për të bërë deklaratën në fjalë, duke shtuar se vota duhet të jetë e barabartë dhe se ai është dakord për një sistemi tjetër, pavarësisht formulës. “Qëndrimi i LSI, është që vota duhet të jetë e barabartë. Varianti i ashtuquajtur spanjoll, që është një variant deformues dhe diskriminues duhet të arkivohet dhe duhet gjetur mënyra për të arritur një konsensus pavarësisht nga puna, sepse ka disa të tilla, që vota e qytetarëve shqiptarë të jetë e barabartë. Është e shprehur qartë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh kreu i LSI-së. 

Meta është shprehur edhe për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se LSI është për një proces kushtetues dhe konstruktiv. “Lëvizja Socialiste për Integrim është e angazhuar për një proces konstruktiv. Një proces i tillë, absolutisht do të sillte një President tepër funksional, në drejtim të përmbushjes së misionit të tij kushtetues, rolit të tij edhe si simbol i unitetit kombëtar por edhe si një garant i funksionit të institucioneve të pavarura, dhe efikas”, tha ai.

Konventa e Gruas në Durrës

Kryetari i LSI ka përshëndetur Konventën e Gruas në Durrës dhe është shprehur se ai personalisht dhe partia që drejton është për një rol më të madh në vendimmarrje të gruas në postet drejtuese të vendit. Meta tha se nuk mund të ketë Shqipëri anëtare të Bashkimit Europian pa një rol shumë herë më të fuqishëm se sa sot të gruas në shoqërinë tonë. 

“Unë vij sot këtu me besim të plotë se LGI e Durrësit do të jetë një promotor akoma edhe më i fuqishëm në të ardhmen, i fuqizimit të vetvetes dhe në këtë mënyrë të vetë LSI-së. Do të jetë një faktor shumë i rëndësishëm për fuqizimin e gruas në të gjithë jetën shoqërore, politike, ekonomike të Durrësit. Ky është një nga qytetet më evropiane të Shqipërisë edhe për shkak të gjeografisë, është porta e parë drejt Europës dhe natyrisht që i takon vajzave dhe grave të Durrësit të jenë akoma më shumë protagoniste në të ardhmen për fuqizimin e rolit të tyre dhe të rolit të gruas në të gjithë jetën e vendit. Në këtë sallë kemi gra të cilat përfaqësojnë vlerat më të mira të këtij komuniteti, të shquara në fushat e tyre edhe më shumë se burrat. Kemi kampione të njohura të Shqipërisë, kemi avokate të shkëlqyera, kemi mësuese të jashtëzakonshme dhe padyshim që duhet të kërkojmë më shumë në mënyrë që i gjithë ky komunitet me vlera të mëdha të përfaqësohet akoma edhe më mirë në të ardhmen në të gjithë jetën politike, institucionale dhe shoqërore. Nuk mund të ketë Shqipëri anëtare të Bashkimit Europian pa një rol shumë herë më të fuqishëm se sa sot të gruas në shoqërinë tonë, në politikën tonë”, u shpreh Meta. 

Kreu i LSI-së shprehu besimin se Lëvizja e Gruas për Integrim, do jetë një faktor i rëndësishëm për LSI-në, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

“Unë besoj shumë se LGI në Durrës, pas kësaj konference, do të dalë edhe më e organizuar, edhe më e motivuar që në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 kontributi juaj të jetë shumë herë më i madh dhe më i dobishëm sepse nuk do të jetë një kontribut thjesht për suksesin e LSI-së por do të jetë një kontribut për të forcuar stabilitetin e vendit, për të përshpejtuar integrimin evropian të vendit, do të jetë një kontribut për të zhvilluar vendin në rrugën e duhur, do të jetë një kontribut jo për të konfliktuar më tej politikën tonë tepër të mbarsur me konflikte të panevojshme por për ta paqësuar atë, për të ndërtuar më shumë ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi”, tha ai. 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim shtoi më tej se gratë kanë rolin e tyre dhe në perspektivën e integrimit të vendit në BE. Meta mori shkas nga ngërçi 2 vjeçar, duke sjellë në vëmendje konfliktet e gjata politike të cilat tentuan të pengojnë liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. 

“Nuk meritojmë ne më të përmendemi negativisht nga të tjerët për shkak të konflikteve të kota dhe për shkak të perceptimeve të së kaluarës. U tha në mënyrë të përsëritur nga shumë skeptikë apo edhe keqdashës që po të hiqen vizat për shqiptarët një milion shqiptarë do të mbeten në vendet e BE-së dhe nuk do të kthehen. Fuqizim i gruas do të thotë modernizim dhe zhvillim më i shpejtë i vendit, do të thotë mirëqenie më shumë për familjet tuaja dhe familjet e të gjithë shqiptarëve. Çfarë ndodhi një vit pasi i hoqën vizat? Mbi një milion shqiptarë kanë udhëtuar për gati 16 muaj në hapësirën ‘Schengen’ dhe nuk kemi asnjë rast ku shqiptarët të mos kenë përmbushur detyrimet që vijnë nga Bashkimi Europian. Shqiptarët janë njerëz të qytetëruar, të kulturuar, të përgjegjshëm, janë qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre por janë qytetarë edhe që dinë të mbajnë dhe përmbushin detyrimet e tyre me korrektesë absolute. Le të marrim ne politikanët shqiptarë shembullin e qytetarëve shqiptarë dhe këtë besoj do ta kemi edhe më të lehtë me ndihmën dhe mbështetjen tuaj, të grave dhe të vajzave në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë”, theksoi më tej kreu i LSI-së.

Lëvizja e Gruas për Integrim zhvilloi dje në qytetin e Durrësit Konventën Zgjedhore e LGI-së për qytetin e Durrësit. I pranishëm në këtë aktivitet ka qenë kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, deputeti Lefter Koka si dhe dy zëvendësministret Filloreta Kodra dhe Nora Malaj. 

Pas fjalimeve të rastit, 700 delegate të Lëvizjes së Gruas për Integrim në qytetin e Durrësit sipas parimit “Një anëtar Një Votë” votuan për kreun e LGI-së, për dy kandidatet Fjorentina Muhametaj dhe Ferteza Izvira.

Pas procesit të numërimit të votave u shpall fituese, kandidatura e Ferteza Izvira.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›