E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Meta: Kullat në Tiranë janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave, të adresohen rekomandimet e FMN

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka kërkuar nga qeveria që të adresojë rekomandimet e FMN lidhur me ndërtimet dhe pasuritë e paluajtshme.

Meta tha se kullat në Tiranë janë kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave të pista dhe se qeveria duhet të marra masat për të mbikëqyrur ndikimin e tij këtij sektori në stabilitetin financiar.

“Si asnjëherë tjetër, raporti i fundit i Fondit Monetar për Shqipërinë (FMN), i ka kushtuar vëmendje të lartë edhe ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar rreziqet që mund të ketë një kthesë në rënie në ecurinë e çmimeve dhe implikimet për sektorin financiar e bankar. Mbështes plotësisht shqetësimin e FMN mbi rëndësinë e rritjes së vigjilencës ndaj stabilitetit financiar të politikëbërësve, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme. Mbështesim plotësisht rekomandimin e FMN për adresimin e mangësive të rëndësishme të të dhënave për pasuritë e paluajtshme dhe ndërtimet, si dhe për nevojën e garantimit të një mbikëqyrje të zgjeruar të ndikimit të këtij sektori në stabilitetin financiar. Është e domosdoshme ndërmarrja e masave të menjëhershme drastike për të dalë nga lista gri e pastrimit të parave, ku Shqipëria është futur nga FATF (mekanizimi i Komisionit Europian për parandalimin e pastrimit të parave), veçanërisht në kushtet kur kullat në Tiranë, sikundër është bërë publike edhe nga denoncimet e mediave ndërkombëtare, janë kthyer në lavatriçen e pastrimit të parave të pista”, tha Meta

Në një deklaratë për mediat, Meta tha qeveria duhet të bëjë transparente përdorimin e fondeve për rindërtimin apo pandeminë.

“Mbështes fuqimisht edhe thirrjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit e Bordit të Drejtorëve drejtuar Qeverisë shqiptare për nevojën e publikimit të kontratave të prokurimit publik që kanë të bëjnë me pandeminë dhe shpenzimet për rikuperimin e tërmetit, emrat e kompanive që kanë fituar kontratat dhe pronarët e tyre përfitues. Është e domosdoshme që pa vonesë qeveria të bëjë transparente para shqiptarëve përdorimin e fondeve për më tepër kur jemi para fakteve tronditëse që ende tre vite pas tërmetit të vitit 2019, për shkak të korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, ende sot ka familje që nuk janë futur në shtëpitë e tyre dhe janë braktisur nga shteti, ndërkohë që problematika të shumta janë vërejtur edhe me ndërtimet jo cilësore ku janë strehuar të prekurit”, tha Meta.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›