E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Lokalet, prova e koalicionit

 

Aristir Lumezi

“Zgjedhjet lokale do të jenë testi më i mirë i bashkëpunimit me Partinë Demokratike”. Lëvizja Socialiste për Integrim mblodhi dje kryesinë e saj dhe drejtuesit lokalë, ku janë diskutuar kushtet dhe ambiciet e reja në të cilat kjo parti ka hyrë pas përfshirjes së saj në koalicionin bashkëqeverisës. Kryetari i kësaj partie, Ilir Meta, pasi përgëzoi të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force për kontributin e dhënë në zgjedhjet e 28 qershorit, i ftoi të gjithë “që të angazhohemi në këtë stad të ri që ka hyrë politika shqiptare, por edhe vetë LSI-ja, për ridimesionimin e kësaj force si një forcë qeverisëse dhe e përkushtuar për reformat që i duhen vendit për të garantuar stabilitet, qëndrueshmëri, progres, dhe realizim të standardeve evropiane gjatë këtyre katër viteve. Por gjithashtu, dhe për të vazhduar punën për forcimin dhe rritjen e strukturave të LSI-së në të gjithë vendin, pas një analize që do të bëjmë në të gjitha rrethet, dhe në të gjitha njësitë vendore, sipas organizimit të LSI-së”. Në mbledhjen e djeshme, Meta është shprehur se ende nuk ka një përcaktim të posteve të niveleve lokale që LSI do të marrë, ndërkohë që vendet e zëvendësministrave mbeten të papërcaktuar. Mësohet se një grup pune, që do të drejtohet nga sekretari i Përgjithshëm, Petrit Vasili, do të bëjë vlerësim real të kontributeve të strukturave dhe individëve në rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Metës, vendimi i strukturave vendimmarrëse të kësaj partie për të hyrë në këtë koalicion po vërtetohet çdo ditë e më shumë dhe kjo do të konfirmohet më mirë në zgjedhjet e ardhshme vendore. “Me angazhimin e LSI-së në qeverisje, të gjithë duhet të kuptojnë se forcimi i LSI-së mbetet një prioritet i pazëvendësueshëm, dhe natyrisht që konfirmimin e vendimit të marrë nga LSI-ja, do të jenë zgjedhjet vendore të ardhshme, ku jam i sigurt që për lëvizjen tonë rezultati do të jetë jashtëzakonisht pozitiv dhe inkurajues, sepse qytetarët janë lodhur nga grindjet dhe problemet e mëdha të vënë re sidomos brenda Partisë Socialiste”, tha Meta. Sipas tij, “marrëveshja me PS-në në vitin 2006, nuk jetoi më shumë sesa një vit, dhe për kaq kohë, me paterica, derisa u rizgjodh Kryetar i kësaj partie në krye të Bashkisë së Tiranës. Një marrëveshje që nuk u respektua asgjëkund, në asnjë nivel”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›