Meta: Në krye të axhendës mbetet procesi i integrimit europian
Kryetari i ardhshëm i Parlamentit, Ilir Meta, gjatë fjalës së tij në forumin e zhvilluar në Bled të Sllovenisë, tha se mazhoranca e re do të vendos në krye të axhendës së saj, integrimin evropian të vendit. Në vijim të ligjëratës së tij, Meta u ndal edhe tek problemet e para me të cilat do të ndeshet qeveria e re. Sipas kreut të LSI-së, zbatueshmëria e ligjit, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformat institucionale dhe ekonomike janë disa nga sfidat e para të qeverisë së re që do të nis nga puna në muajin shtator. Përpos këtyre, Meta shprehu vullnetin e mazhorancës së re për ti dhënë një fizionomi të re qeverisjes së vendit ku në fokus sipas tij do të jetë zgjidhja e problemeve ekonomike dhe sociale e qytetarëve.
Rajoni
Duke u ndalur tek çështjet e rajonit dhe rolin e Shqipërisë, Meta tha se vendi ynë do të vazhdojë të jetë konstruktiv, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Bashkëpunimi rajonal do të njohë një dimension të ri që shkon përtej thjesht marrëdhënieve korrekte politike dhe diplomatike mes vendeve tona, por që intensifikon më shumë marrëdhëniet ekonomiko-tregtare në funksion edhe të integrimit më të shpejtë të rajonit në BE. Pikërisht, në këtë frymë bashkëpunimi rajonal, edhe dialogu Kosovë Serbi do të jetë akoma edhe më konstruktiv për të gjetur zgjidhjet e përbashkëta dhe të nevojshme politike dhe ekonomike, midis dy vendeve dhe popujve, theksoi Ilir Meta. Duke folur për marrëdhëniet mes vendeve në rajon, kreu i LSI-së tha se realizimi i projekteve të përbashkëta rajonale apo krijimi i tregjeve të përbashkëta rajonale, siç është ai i energjisë, do të ishte një vlerë e shtuar në funksion të një rëndësie më të madhe gjeostrategjike të rajonit.