Meta: Nisja e negociatave e vonuar, Shqipëria të mos jetë konglomerat emigrantësh

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një deklaratë për mediet e ka cilësuar si një moment të rëndësishëm për Shqipërinë nisjen e negociatave, por ekstremisht të vonuar.
Në një deklaratë për mediet, Meta tha se anëtarësimi i vendit në BE është proces që meriton përpjekje dhe sakrificë. Meta nënvizoi se Partia e Lirisë është e vendosur për transformimin e shpejtë të Shqipërisë në një vend me demokraci dhe institucione plotësisht funksionale
“Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është një proces që meriton çdo përpjekje dhe sakrificë, sepse është e vetmja rrugë që garanton që shtëpia jonë e përbashkët të ketë atë paqe, siguri dhe begati që për fat të keq ende bashkëqytetarët tanë po nxitojnë ta kërkojnë në vendet europiane dhe matanë oqeanit.
Partia e Lirisë është e vendosur për transformimin e shpejtë të Shqipërisë në një vend me demokraci dhe institucione plotësisht funksionale, ku garantohet llogaridhënia, ku respektohet Kushtetuta dhe shteti ligjor, me mirëqenie, paga dhe standard të lartë jetese, një vend ku respektohen liritë, të drejtat dhe dinjiteti njerëzor, si e vetmja rrugë për anëtarësimin e shpejtë dhe të vërtetë në Bashkimin Europian,” – tha Meta.
Sipas kreut të Partisë së Lirisë, Shqipëria nisi negociatat si vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE.
“Shqipëria nis negociatat si vendi me numrin më të lartë të azilkërkuesve në BE, duke ua kaluar edhe shumë vendeve që janë në luftë civile. Si një vend ku nuk respektohen fare kriteret e Kopenhagës, ku është asgjesuar kontrolli dhe balanca e pushteteve, ku institucionet e pavarura janë kapur për fyti nga qeveria, dhe si vendi që jo vetëm nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme, por që ka të paktën tre të burgosur politikë në më pak se një vit, duke nisur me liderin historik të Partisë Demokratike, prof. dr. Sali Berisha, për të vijuar me kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, sot eurodeputet, dhe me deputetin zemërluan të PD, Ervin Salianji,” – tha Meta.
Meta theksoi ndër të tjera se kemi humbur shumë kohë dhe se Shqipëria i kishte të gjitha mundësitë në këto 11 vitet në pushtet të “Rilindjes” që të ishte lokomotiva që udhëhiqte procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
I pyetur në lidhje me paralajmërimin e opozitës për protestë në Parlamentin Europian në Strasburg, më 23 tetor, Meta e cilësoi këtë vendim si të drejtë.
“Ky është një vendim shumë i drejtë, e ndoshta edhe pak i vonuar, Opozita dhe shqiptarët kudo në botë, në vendet e BE-së, në të gjitha vendet e NATO-s, duhet të dëgjohen para të gjithë këtyre institucioneve, që të mos tolerohet më kjo kapje e shtetit dhe ky sundim i mafias në një vend anëtar të NATO-s dhe në një vend që duhet të jetë anëtar i BE-së,” – u shpreh Meta.
Sa i takon mbërritjes së migrantëve të parë në Shëngjin, Meta tha se e gjithë Shqipëria duhet të ishte ngritur në protestë.
“E gjithë Shqipëria duhet të ngrihet në protestë në mënyrë që ky të mos jetë më një vend konglomerat emigrantësh, të huajsh dhe ku mos flitet më as gjuha shqipe. Të gjithë duhet të ngrihen në këmbë,” – u shpreh Meta.
/r.e/a.f/