E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Nuk jam ankuar ndonjëherë për Uidhersin”

13/08/2010 Ministri Meta shprehet i habitur për ekzistencën e një letre nga Uashingtoni

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta ka mohuar të ketë marrë një letër nga Departamenti i Shtetit. Në një konferencë për shtyp shefi i diplomacisë shqiptare është treguar i habitur kur është pyetur nga gazetarët në lidhje me një letër që ndihmëssekretari amerikan i Shtetit Filip Gordon i ka dërguar ditët e fundit. “Për çfarë letre?” - ka qenë pyetja që Meta ka përdorur në formë të përgjigjes së tij. Numri dy i qeverisë ka theksuar se mungesa e lajmeve në këto ditë vere ka shkaktuar publikimin e informacioneve spekulative. “Më vjen shumë keq që kjo thatësirë që vjen nga koha, për fat të keq ka sjellë edhe një thatësirë për lajme për të gjithë ata që duan ta mbushin atë me lajme që janë spekulative. Puna ime si ministër i Jashtëm kërkon që unë çdo ditë të shkëmbej letra dhe mesazhe me Uashingtonin dhe me qendra të tjera të rëndësishme. Ndërsa për spekulimet në fjalë as që ia vlen të merrem me to. Sidoqoftë, mund tju them se nuk ka asnjë letër zyrtare drejtuar cilitdo shteti ku të jemi ankuar për ndonjë ambasador apo diplomat këtu në Shqipëri. Por është e drejta e kujtdo të prodhojë lajme”, - ka theksuar ministri i Jashtëm. Ai ka nënvizuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleati kryesor strategjik i Shqipërisë, janë të shkëlqyera. Në përgjigje të interesit të përfaqësuesve të medies shefi i diplomacisë i cilësoi po kaq të mira edhe raportet me përfaqësuesin diplomatik të Uashingtonit në Tiranë në largim, ambasadorin Xhon Uidhers. Meta ka rrëfyer se pak ditë më parë, para se të niste turin diplomatik, ka pasur një takim miqësor me ambasadorin amerikan. “Sapo kemi pasur një darkë lamtumire përpara se të nisja këtë tur vizitash në Lindjen e Mesme dhe jemi ndarë me shumë dashuri me njëri-tjetrin për tu ritakuar së shpejti”, - ka bërë me dije ai. Në këtë mënyrë, ministri i Jashtëm shqiptar nuk ka komentuar asgjë në lidhje me një letër nga Departamenti amerikan i Shtetit, që të flasë mbi çështje që prekin sjelljen apo qëndrime konkrete të ambasadorit Uidhers për çështje të ndryshme, pasi ka mohuar që në zyrën e tij të ketë mbërritur një e tillë.

Heqja e vizave

Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar dje se të gjithë qytetarët shqiptarë që janë të pajisur me pasaporta biometrike shumë shpejt do të kenë mundësinë për të udhëtuar lirshëm drejt vendeve të Bashkimit Europian. “Procesi i liberalizimit të vizave do të marshojë në mënyrë të pandalshme. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat, të gjitha kriteret dhe shqiptarët shumë shpejt, natyrisht të gjithë ata që janë pajisur me pasaporta biometrike, do të udhëtojnë pa viza në hapësirën Shengen”, - ka thënë ai. Madje, ministri Meta ka deklaruar se shqiptarët do të kenë mundësi të lëvizin pa viza edhe drejt Qipros, shtet i cili është pjesë e BE-së, por jo e hapësirës “Shengen”. “Meqenëse Qiproja nuk bën pjesë në zonën Shengen, pavarësisht se është anëtare e BE-së, ramë dakord që menjëherë pas liberalizimit të vizave më BE-në automatikisht e njëjta gjë do të arrihet edhe me Qipron përmes një marrëveshjeje dypalëshe”, - tha ai.

PS: SHBA paralajmërojnë Berishën

Parti Socialiste është shprehur dje se qeveria amerikane ka paralajmëruar kryeministrin Sali Berisha në lidhje me lëvizjet që ai ka ndërmarrë së fundi, si për shembull, ndryshimin e ligjit për SHISH-in. Deputeti socialist Ditmir Bushati ka thënë dje se letra, për të cilën PS-ja është e bindur se ekziston, “është një paralajmërim i qartë ndaj aventurës së Sali Berishës për të vënë nën kontroll personal çdo qelizë të shtetit të së drejtës, përfshirë edhe Shërbimin Informativ Shtetëror”. “Është e pafalshme që Sali Berisha me praktikat okulte të vitit 1996-1997 përdori Lulzim Bashën më 2008-n dhe Ilir Metën më 2010-n, respektivisht me administratën Bush dhe Obama, për tu ankuar ndaj përfaqësuesve diplomatikë të SHBA-ve, të cilët kanë dhënë një ndihmë të pakursyer ndaj vendit dhe kombit tonë qysh nga ekzistenca e shtetit shqiptar. Këto veprime të qeverisë së Sali Berishës janë edhe më të dënueshme në kushtet kur roli gjeopolitik i shqiptarëve në rajon është rritur ndjeshëm, sidomos dekadën e fundit, falë mbështetjes së vyer të SHBA-ve”, - tha Bushati.

Lobim për njohjen e Kosovës

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta ka shfrytëzuar turi diplomatik disaditor në Greqi, Qipro e më pas në disa vende të Lindjes së Mesme për të lobuar fort për statusin e Kosovës. Numri një i diplomacisë shqiptare ka thënë dje se gjatë takimit me ministrin Plotësues të Punëve të Jashtme të Greqisë Droutsas në Athinë shkëmbeu mendime dhe mirëkuptimin për zhvillimet më të fundit në rajon, por edhe në tërësi për perspektivën e çështjes së Kosovës. Meta tha se gjatë takimit me presidentin e Qipros Dimitris Kristofias u ra dakord se rasti i Kosovës është unik. Lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës Meta bëri edhe në Liban gjatë takimit me presidentin Michel Sulejman si dhe me krerë të tjerë të këtij shteti.

Akuzat e PS-së

Kryeministri Berisha të flasë për korrupsionin

Partia Socialiste kërkon me ngulm një prononcim të kryeministrit Sali Berisha në lidhje me pretendimet e saj mbi korrupsionin në radhët e mazhorancës qeveritare. Deputeti Eltar Deda në deklaratën e djeshme për shtyp ka thënë se shefi i ekzekutivit duhet të thotë fjalën e tij në lidhje me aferat korruptive të ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti dhe të deputetes së PD-së Albana Vokshi. Përfaqësuesi i PS-së renditi në listën e të akuzuarve nga partia e tij edhe të bijën e kryeministrit. “Ose ai vetë (Berisha) është aq i kapur nga korrupsioni në familje, sa nuk guxon të hapë kutinë e Pandorës të korrupsionit në qeverinë që ka zgjedhur vetë e sot drejton. Paratë e Argitës, 1 milion e gjysmë eurot e Priftit e 4 miliardë dollarët e Vokshit flasin për kapje të shtetit”, - tha Deda. Deputeti i majtë theksoi se ministri Prifti vetëm në tre muajt e parë të tij në qeverinë “Berisha” e rriti pasurinë me më shumë se një milion e gjysmë euro si dhe u pasurua duke shitur një kompani të sektorit ku ai drejton mbikëqyrjen, pa investuar as edhe një qindarkë të tij. Deputeti socialist tha gjithashtu se ligjvënësja demokrate Albana Vokshi në kohën kur ishte këshilltare e kryeministrit për ekonominë ka përfituar në emrin e burrit të saj dhjetëra milionë euro koncesione. Deda akuzoi se Berisha i ka dhënë më se 4 miliardë dollarë naftë e gaz natyror burrit të Vokshit me vendim të drejtpërdrejtë të tij. “Të dyja këto janë raste të pastra të konfliktit të interesit me postin publik. Të dyja janë raste të pastra korrupsioni, kur pushtetarë përfitojnë miliona si pasojë e shpërdorimit të detyrës. Të dyja janë raste që në vazhdën e luftës kundër korrupsionit, kërkesë themelore e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave e zotim publik i Sali Berishës për tri fushata elektorale, duheshin hetuar e vënë përpara drejtësisë”, - tha deputeti i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›