E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimi i zgjedhjeve dhe Kodi Zgjedhor në një komision

13/08/2010 PS pret përfundimin e hetimit për të bërë propozimet

PD: Kodi është në rregull, PS-ja le të paraqesë pretendimet

Hetimi i zgjedhjeve të 28 qershorit, por dhe reforma zgjedhore që do të pasojë do të bëhet nga një komision i vetëm. Me pak fjalë, komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, pasi të evidentojë mangësitë, në rast se ka, në zgjedhjet e kaluara do të reflektojë në Kodin Zgjedhor përmirësimet e mëtejshme të tij.

Ideja është e Partisë Socialiste, e cila duket se është në pozita pritëse për të parë se çfarë nuk shkoi me zgjedhjet e qershorit 2009. Pra, në rast se ka pasur manipulime, atëherë të bëhen përmirësime në Kod që të shmangen, të përcaktohen dënimet për komisionerët, të shihet mënyra se si mund të shmangen numërimet e stërzgjatura e kështu me radhë. Por në PS nuk dinë të thonë ende se ku mund të kërkohet ndërhyrja për zgjedhjet që priten të vijnë, pra nuk kanë ende një platformë apo projektpropozime të ngritura qoftë dhe mbi supozimet për manipulimin e votave dhe më pas tia shtrojnë për diskutim kundërshtarit të tyre politik.

Partia Demokratike

Nuk dihet ende nëse do ta pranojë apo jo Partia Demokratike idenë për ti shkrirë në një të përbashkët hetimin e zgjedhjeve dhe përmirësimet në Kod, por burime nga kjo forcë politike thanë për gazetën “Metropol” se nga ana e saj PD-ja shpreh bindjen se zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar ishin më të mirat që janë mbajtur ndonjëherë në vend. Në këtë kontekst, të djathtët nuk kanë ndonjë propozim konkret për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, i cili u miratua pak muaj para zgjedhjeve të 2009-s. Për ta problem, nëse mund të quhet i tillë, është vetëm numri i komisionerëve të numërimit të votave. PD-ja është e mendimit se numri i tyre duhet shtuar, me qëllim që të mos ketë zgjatje të panevojshme në numërimit të votave. Sa për të tjerat, ajo do të jetë e gatshme të dëgjojë pretendimet, apo dhe propozimet e PS-së për këtë çështje.

Zgjedhjet

Zgjedhjet u pranuan fillimisht, më pas u kontestuan për një vit rresht nga Partia Socialiste. Sipas saj, gjatë procesit të votimit dhe më pas të numërimit të votave ka pasur manipulime dhe kërkoi hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim votash. Por kërkesa e saj u kundërshtua nga të djathtët, të cilët nxorën si argument vendimin e gjykatës për tri qarqe si dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, e cila ndalonte rinumërimin e votave pasi të ishte marrë vendimi në Kolegjin Zgjedhor. PS-ja në kërkesën e saj u shfaq paksa e paqartë, pasi nuk e argumentoi si duhet se pse duheshin hapur kutitë e votimit. I vetmi fakt ishte votimi në Ruzhdie, një fshat të Fierit, ku zgjedhjet u bojkotuan fillimisht nga komisionerët e PS-së dhe pas hetimit të prokurorisë u konstatua se komisionerët e mbetur kishin bërë manipulime. Gjithsesi, kjo ishte një zonë që nuk pati pasoja në rezultat në qarkun e Fierit, pasi u konsiderua e pavlefshme nga Gjykata. Gjithsesi, në një mënyrë apo tjetër, me bojkot dhe me protesta opozita arriti ta bënte “kasus” çështjen e zgjedhjeve dhe ta ndërkombëtarizojë atë. Nga ana e tyre demokratët e konsideruan bojkotin e PS-së dhe protestat si një tentativë të opozitës për bllokimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendit në Bashkimin Evropian

Me hapjen e sesionit të ri parlamentar pritet të rifillojë edhe një herë debati, këtë herë jo për komisionin hetimor sesa për mandatin që ai do të ketë. Gjithsesi, kryetari i PS-së Edi Rama ka premtuar një shtator të ngjeshur me lëvizje politike, ku nuk ka përjashtuar këtu edhe protestat, por këtë herë në fokus nuk do të jenë zgjedhjet e vitit të kaluar, por kriza ekonomike, që sipas tij ka përfshirë vendin. Nga ana tjetër, vetëm pak ditë më parë Berisha ka pranuar hapjen e kutive, por vetëm ato që përmbajnë materiale zgjedhore. Në rast se ndodh kjo, atëherë KQZ-ja është e detyruar të zbatojë ligjin për djegien e fletëve të votimit, afat i cili po mbush vitin që kur ka kaluar. Gjithsesi, çdo gjë mbetet për tu parë në vjeshtë, që i paraprin një tjetër debati, këtë herë në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk përjashtohet mundësia që në fund të dilet sërish me dy raporte (një nga opozita dhe një nga maxhoranca) për hetimin e zgjedhjeve nga ky komision hetimor, i kërkuar prej kohësh nga PS-ja dhe aleatët e saj.

Rama në kongres

“Në kutitë e votimit fshihet krimi elektoral”

Sot, plot 8 muaj pasi Partia Socialiste filloi aksionin e saj, mes mjegullës së dendur dhe agresionit dhe diversionit të pushtetit, ka dalë e qartë si drita e diellit se në kutitë e mbyllura me pahir fshihet krimi i tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve. Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer atë krim, por e kanë marrë vesh të gjithë se më 28 qershor Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm se zgjedhjet u morën peng, duke i mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot është bindje për të gjithë se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë. Dhe më keq akoma, sot shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre çmimin e këtij krimi, duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh që tanimë po prekin edhe brezin e ardhshëm.”

Berisha vlerëson zgjedhjet

“Ishin më të mirat, i hapën rrugën integrimit”

“Më 28 qershor të vitit 2009, në këtë vend, ku zgjedhjet ishin shndërruar në një problem kombëtar dhe ndërkombëtarë, vend për të cilin institucionet ndërkombëtare kishin miratuar rezoluta nga më të veçantat në historinë e veprimtarisë së tyre, u deklarua se zgjedhjet plotësuan zotimet kryesore të OSBE–ODIHR-it, në zgjedhje nuk pati asnjë provë për manipulim rezultatesh apo numërim të pa rregull. Këto zgjedhje ishin dëshmia më e shkëlqyer e vullnetit të hekurt të kësaj mazhorance që qytetarët shqiptarë të votojnë në vullnet të tyre të lirë, që vullneti i qytetarëve shqiptare të respektohet plotësisht. Pa karakterin e këtyre zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pa dëshminë se nuk pati asnjë përpjekje për manipulim të rezultateve të arbitrit ndërkombëtarë, pa dëshminë e arbitrave ndërkombëtarë se nuk pati asnjë provë për numërim të pa rregullt. Këto zgjedhje bënë të mundur që të merren vendimet më përcaktuese në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.”

Fillimi i muajit shtator, Presidenti dekreton zgjedhjet e ardhshme lokale

Politika sërish ndryshime në minutën e fundit

Nuk kanisur ende puna për hartimin e kodit të ri zgjedhor

Politika rrezikon të hedhë në erë procesin e zgjedhjeve vendore, që do të mbahet vitin e ardhshëm. Kjo sepse Kushtetuta e përcakton qartë se menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve, të cilën Presidenti i Republikës është i detyruar në bazë të Kushtetutës ta shpallë brenda javës së parë të shtatorit, KQZ-ja do të fillojë punën për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme. Dhe nuk është çudi që politika, ashtu siç ka bërë dhe herë të tjera, tia dërgojë këtij institucioni ndryshimet në kod në çastin e fundit. Dëshmia më e qartë për këtë ishin zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur marrëveshja për certifikatat u arrit vetëm një muaj e pak ditë para zgjedhjeve. Ndërkohë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte përfunduar infrastrukturën zgjedhore dhe më pas u detyrua tu rikthehej punëve nga fillimi. Nga ana tjetër, që në javët e para të shtatorit KQZ-së i duhet të përcaktojë zonat e administrimit zgjedhor, sipas kodit të miratuar nga dy forcat e mëdha politike, institucionit të zgjedhjeve do ti duhet të harxhojë kohë edhe me një debat tjetër, që është ai i djegies së fletëve të votimit të mbetura nëpër magazina që nga zgjedhjet e 29 qershorit të vitit të kaluar. Nga ana e saj PS-ja po kërcënon politikisht që fletët të mos digjen për efekt hetimi, ndërsa KQZ-ja ka kaluar çdo afat të ruajtjes së tyre. Me pak fjalë, nëse do të harxhohet sërish kohë me deklarata politike, duke ndërhyrë në punën e KQZ-së dhe duke i dërguar ndryshime pas ndryshimesh në kod në çastet e fundit, atëherë kemi të bëjmë me proces zgjedhor të atakuar që pa filluar mirë dhe nga zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm nuk mund të pritet më shumë qetësi politike sesa nga zgjedhjet që shkuan. Humbësi sërish do të ankohet se zgjedhjet u cenuan, afatet nuk u respektuan dhe do të vijojmë sërish me të tjera deklarata dhe kundërdeklarata politike, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse i shtojnë vendit koston politike dhe të imazhit në sytë e ndërkombëtarëve

Referendumi për kutitë

KQZ rrëzon kërkesën e një grupi qytetarësh

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë kërkesën e një grupi qytetarësh për zhvillimin e një referendumi popullor për hapjen ose jo të kutive të votimit të zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe vijimin më pas me rinumërimin e votave. Institucioni përgjegjës për zhvillimin dhe organizimin e proceseve zgjedhore e ka cilësuar të pavlefshme kërkesën që i është dorëzuar nga një grup qytetarësh. Mësohet se KQZ-ja ka argumentuar qëndrimin e saj me faktin se kërkesa është e pavlefshme për pasojë të parregullsive që e shoqëronin atë. Në Kodin Zgjedhor thuhet qartë se 50 mijë zgjedhës me të drejtë vote kanë të drejtën për të kërkuar zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e një ligji, si dhe ti kërkojnë Presidentit të Republikës zhvillimin e një referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë. Ndërkohë kërkesa për fillimin e procedurave të referendumit paraqitet në KQZ nga një grup prej jo më pak se 12 nismëtarësh. Grupi i qytetarëve iu drejtuan fillimisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në fillim të këtij muaji. Ata argumentuan lëvizjen e tyre, duke thënë se, meqenëse politika nuk mund ti japë zgjidhje konfliktit të gjatë, atëherë le të jenë vetë qytetarët ata që duhet të vendosin nëse është e drejtë ose jo hapja e kutive të votimit. Opozita nga ana e saj kërkon bërjen me çdo kusht të transparencës së zgjedhjeve vetëm duke hapur kutitë e votimit. Por mazhoranca thekson se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë. Për shumicën transparenca mund të bëhet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe vendimet e gjykatave, të cilat sipas saj ndalojnë hapjen e kutive.

.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›